Universiteti i Tetovës dhe Akademia e Studimeve Albanologjike nga Tirana e forcojnë bashkëpunimin ndërinstitucional
- Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti shprehu konsideratën e tij për Akademinë e Studimeve Albanologjike, për kontributin dhe rolin domethënës për zhvillimin e arsimit sipëror dhe kërkimet shkencore, ndërsa drejtuesit e kësaj Akademie i njohu me zhvillimet në Universitetin e Tetovës dhe ecurinë e procesit mësimor-shkencor.
- Post By Fami Bajrami
- 20:24, 18 prill, 2023
Tetovë, 18 prill 2023 (MIA)- Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti i priti sot në takim drejtuesit e Akademisë së Studimeve Albanologjike nga Republika e Shqipërisë, Rektorin Prof. Dr. Luan Përzhita dhe Zëvendësrektorin, Prof. Dr. Valter Memisha. Në këtë takim pune ku ishin të pranishëm edhe Prorektori për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu dhe Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani, u bisedua për vijimin e bashkëpunimit në lëmin e arsimit dhe hulumtimeve shkencore.
Rektori, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti shprehu konsideratën e tij për Akademinë e Studimeve Albanologjike, për kontributin dhe rolin domethënës për zhvillimin e arsimit sipëror dhe kërkimet shkencore, ndërsa drejtuesit e kësaj Akademie i njohu me zhvillimet në Universitetin e Tetovës dhe ecurinë e procesit mësimor-shkencor.
Ai, po ashtu veçoi Marrëveshjen e nënshkruar kohë më parë mes Universitetit të Tetovës dhe Akademisë së Studimeve Albanologjike, e cila sipas tij duhet zgjeruar edhe me elemente dhe forma të tjera bashkëpunimi, që janë në funksion të projekteve të përbashkëta shkencore, hapjen e programeve të reja, me theks të veçantë hapjen e programit studimor të Arkeologjisë në Universitetin e Tetovës për studime deridiplomike.
Ndërkaq, Rektori Luan Përzhita e falënderoi udhëheqjen e UT-së për mikpritjen në këtë institucion, që sipas tij është emblemë e arsimit të lartë në gjuhën shqipe për shqiptarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe më gjerë. Në cilësinë e drejtuesit të Akademisë së Studimeve Albanologjike shprehu gatishmërinë jo vetëm për të bashkëpunuar në projekte të ndryshme, por edhe për ta ndihmuar Universitetin e Tetovës me pedagogë që do të angazhoheshin në mësimdhënie në programin studimor të Arkeologjisë. Ai deklaroi se institucioni i tyre e ka parësor kërkimin shkencor, por edhe studimet në ciklin e dytë dhe ciklin e tretë, duke mos anashkaluar një mori projektesh të realizuara me institucione, universitete të njohura dhe programe të përbashkëta ndërkombëtare.
Rektori Përzhita ndër të tjera deklaroi se, në kuadrin e shkëmbimit të stafit universitar çdo pedagog i juaj mund ta konsiderojë institucionin tonë si shtëpinë e vet, bibliotekat, zyrat, ambientet për hulumtime, nisma dhe projekte me rëndësi.
Zëvendësrektori, Prof. Dr. Valter Memisha dhe dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani referuan për punën që bëhet në botimin e Fjalorit të Madh të gjuhës shqipe, publikimin e botimit “Variacioni sintaksor në të folmet e shqipes: tipare dhe treva”- Përgatitje për Atlasin e Sintaksës Dialektore të Shqipes dhe bashkëpunimin e suksesshëm ndër vite në sesionet e Seminarit Ndërkombëtar të Albanologjisë që organizohet nga Universiteti i Tetovës.
Vizita e sotme e drejtuesve të Akademisë së Studimeve Albanologjike në UT e rikonfirmoi angazhimin e përfaqësuesve të këtyre institucioneve për ta vijuar edhe në të ardhmen bashkëpunimin në fushat akademike me interes të përbashkët, shkëmbimin e stafit akademik, të hulumtuesve dhe studentëve në kuadër të veprimtarive kërkimore-shkencore; si dhe shkëmbimin e literaturës shkencore; hulumtimin e arkivave dhe bibliotekave.