• e hënë, 23 dhjetor 2024

UNICEF bën thirrje për veprim për cilësi më të mirë të ajrit për të mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve

UNICEF bën thirrje për veprim për cilësi më të mirë të ajrit për të mbrojtur të drejtat dhe mirëqenien e fëmijëve

Shkup, 7 shtator 2023 (MIA) - Nivelet e ajrit të ndotur në të gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor janë jashtëzakonisht të larta dhe kjo shkakton pasoja të mëdha të dëmshme për shëndetin dhe vdekshmërinë e njerëzve. Maqedonia e Veriut nuk bën përjashtim, dhe kryeqyteti I saj, Shkupi dhe disa qytete të tjera janë shpesh në krye të listave të qyteteve me ajrin më të ndotur në Evropë dhe më gjerë. Ajo ka efekte në jetën e mijëra qytetarëve çdo vit. Megjithatë, fëmijët janë më të ndjeshëm sepse kur bëhet fjalë për ajrin e ndotur, mushkëritë më të vogla mbajnë barrën më të madhe, citohet në analizën e UNICEF-it me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ajrit të Pastër.

UNICEF-i thekson se ajri i ndotur është kërcënimi më i madh mjedisor për shëndetin e njerëzve në rajon dhe njerëzit nga qytetet thithin ajër me një përqendrim të grimcave që është deri në pesë herë më i lartë se nivelet e përcaktuara në udhëzimet kombëtare dhe evropiane.

Sipas Patricia Di Xhovani, përfaqësuese e UNICEF-it në Shkup, "gjendja me ajrin e ndotur është krizë e të drejtave të fëmijëve, sepse pasojat janë të përjetshme dhe paraqesin kërcënim të përgjithshëm për shëndetin, zhvillimin dhe mirëqenien e fëmijëve".

“Ajri i ndotur ndikon tek të drejtat e fëmijëve për jetë, shëndet, arsim, lojë, mosdiskriminim, standard adekuat jetese dhe të drejtën për një mjedis të sigurt, të pastër, të shëndetshëm dhe të qëndrueshëm. Është thelbësore që kjo çështje të zgjidhet, për t'i lejuar fëmijët të rriten në një mjedis të sigurt dhe të shëndetshëm dhe të zhvillojnë plotësisht potencialin e tyre”, thekson Di Xhovani.

Për të tejkaluar këtë problem, UNICEF-i nënvizon se në Maqedoninë e Veriut po punohet në partneritet me Suedinë për të forcuar kapacitetet e autoriteteve kombëtare dhe lokale, si përgjegjëse për menaxhimin e cilësisë së ajrit dhe të dhënat e cilësisë së ajrit, duke ngritur zërin e fëmijëve dhe të rinjve si mbajtës të të drejtave, për të arritur ndryshime në politika dhe norma shoqërore.

“Si pjesë e këtij partneriteti, UNICEF-i aktualisht po punon për përmirësimin e cilësisë së edukimit mjedisor në shkolla, me theks të veçantë në ndotjen e ajrit. Nëpërmjet Rrjetit të Mësimit nga Përvoja, shkollave do t'u ofrohet një Program i Mësimit nga Përvoja në mënyrë që nxënësit të mësojnë dhe të angazhohen në mënyrë kuptimplotë rreth temës së cilësisë së ajrit. Përveç kësaj, UNICEF-i mbështet zhvillimin e programeve arsimore formale dhe joformale për punë të gjelbra dhe cilësi më të mirë të ajrit, të cilat do të kontribuojnë në trajtimin e ndotjes së ajrit dhe punësimin e ardhshëm të të rinjve në ekonominë ekologjike”, citojnë nga zyra e UNICEF-it.

Në Ditën Ndërkombëtare të Ajrit të Pastër dhe Qiellit Blu, Zyra e UNICEF-it për Evropën dhe Azinë Qendrore publikoi një analizë të re të të dhënave mbi vdekshmërinë e fëmijëve të lidhur me ndotjen e ajrit në Evropë dhe në Azinë Qendrore.

Sipas analizës, mbi 5,800 fëmijë dhe adoleshentë në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore vdiqën nga shkaqe të lidhura me ndotjen e ajrit në vitin 2019, sipas të cilit numri më i madh, pra 85 për qind, kanë vdekur para ditëlindjes së tyre të parë.

“Në Fillime pa frymë: Efektet alarmante të ndotjes së ajrit tek fëmijët në Evropë dhe Azinë Qendrore, vihet re se fëmijët e ekspozuar ndaj ndotjes së ajrit janë në rrezik të shtuar të problemeve serioze shëndetësore, duke përfshirë infeksionet akute të frymëmarrjes si pneumonia, e cila është veçanërisht e rrezikshme për foshnjat, dhe fëmijët e vegjël. Thithja e ajrit të ndotur shkakton dëmtime të përhershme të mushkërive tek fëmijët, duke çuar në një rrezik të shtuar të astmës dhe sëmundjeve kronike të frymëmarrjes dhe sëmundjeve kardiovaskulare, përfshirë edhe kancerin. Ajri i ndotur mund të shkaktojë çrregullime neurologjike më vonë në jetë si pasojë e dëmtimit të hershëm të trurit të fëmijëve” citohet në analizë.

Ndryshe nga të rriturit, thekson UNICEF, fëmijët janë më të ekspozuar ndaj ajrit të ndotur sepse marrin frymë dy herë më shpejt dhe shpesh përmes gojës, duke gëlltitur më shumë ndotës. Për shkak se janë më të vegjël në shtat, fëmijët janë më afër tokës ku grumbullohen ndotësit. Fëmijët janë fiziologjikisht më të prekshëm ndaj ndotjes së ajrit sesa të rriturit, sepse truri, mushkëritë dhe organet e tjera të tyre janë të ekspozuar ndaj inflamacionit dhe dëmtimit gjatë një periudhe të zhvillimit të shpejtë, citohet në dokument.

Që të ndodhin ndryshime të rëndësishme sistematike, thotë kjo organizatë e KB-së, fëmijët dhe të rinjtë duhet të kenë njohuri relevante në lidhje me aspektet që lidhen me ndotjen e ajrit, ata duhet të kenë akses në platforma që i lejojnë ata të angazhohen për zgjidhje dhe politika për ajër të pastër, ndërsa rregulloret për ndotjen e ajrit duhet të jenë të përshtatura për fëmijët dhe të rinjtë.

“Për këtë qëllim, UNICEF-i vazhdon të ofrojë mbështetje për të rinjtë për t'u bërë nxitës aktivë të ndryshimit dhe avokatë për përmirësimin e cilësisë së ajrit në komunitetet e tyre përmes zhvillimit të rrjeteve rinore për informimin e ajrit të pastër dhe aftësitë e avokimit dhe platformave për sipërmarrjen sociale dhe mjedisore të inovacionit. Në të njëjtën kohë, UNICEF-i mbështet autoritetet vendore për të përshtatur planet dhe masat për cilësinë e ajrit në nivel lokal me fëmijët dhe të rinjtë, duke marrë parasysh të drejtat e fëmijëve dhe dobësitë e tyre të veçanta sipas rrethanave specifike lokale, citohet në njoftim.

Неодамнешните настани во врска со групата креирана преку „Телеграм“ на која размената на содржини вклучуваше и неовластено споделување фотографии и видеа од малолетни лица и млади девојки, за

UNICEF-i u bën thirrje qeverive kombëtare dhe vendore të forcojnë politikat dhe investimet për të përshpejtuar kalimin drejt energjisë dhe transportit të pastër dhe efikas në të gjithë sektorët. Kjo përfshin mbështetjen për efektivitetin e energjisë dhe aksesin në energji të pastër, trajnimin e punonjësve shëndetësorë nga kujdesi shëndetësor parësor për kryerjen e ekzaminimeve te fëmijët dhe zbulimin e sëmundjeve që lidhen me ajrin e ndotur, si dhe zgjerimin dhe përshpejtimin e planeve për uljen e ndotjes së ajrit në nivel shtetëror dhe kombëtar dhe në nivel komunal.

Për të mbrojtur fëmijët nga ekspozimi, UNICEF-i u kërkon qeverive të krijojnë dhe mbajnë një sistem për monitorimin e cilësisë së ajrit pranë kopshteve dhe shkollave dhe për të ndarë informacionin me publikun, duke theksuar nivelet e ndotjes së ajrit që janë të rrezikshme për fëmijët dhe gratë shtatzëna.

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR