Uitrih: Arsimimi në burgje përfaqëson pjesë kyçe të procesit të risocializimit dhe dinjitetit njerëzor
- – Në organizim të Asociacionit Evropian për Arsimim në Burgje (EREA) dhe me partneritet të organizatës civile nga sfera e arsimit në burgjet EKE Manastir, sot në Shkup filloi Konferenca Evropiane për Arsimim në Burgje.
- Post By Fitore Curri
- 13:11, 11 nëntor, 2025
Shkup, 11 nëntor 2025 (MIA) – Në organizim të Asociacionit Evropian për Arsimim në Burgje (EREA) dhe me partneritet të organizatës civile nga sfera e arsimit në burgjet EKE Manastir, sot në Shkup filloi Konferenca Evropiane për Arsimim në Burgje.
Siç theksoi kryetari i Asociacionit Evropian për Arsimim në Burgje, Tomas Uitrih, arsimimi në burgje përfaqëson pjesë kyçe të procesit të risocializimit dhe dinjitetit njerëzor, duke theksuar se të gjithë të burgosurit duhet të kenë qasje të njëjtë në mësim dhe zhvillim personal.
“Asociacioni Evropian për Arsimim në Burgje përbëhet nga edukatorë, hulumtues dhe profesionistë të cilët angazhohen për promovimin e arsimit dhe aktiviteteve simotra në burgje. Qëllimi ynë është të krijojmë platformë për bashkëpunim evropian, zhvillim profesional dhe shkëmbim të praktikave më të mira”, tha Uitrih.
Ai përkujtoi se EREA është anëtare e Konferencës së Organizatave Ndërkombëtare Joqeveritare të Këshillit të Evropës dhe tashmë katër dekada vepron si zë evropian për arsimim në burgje. Qëllimet kryesore të asociacionit, theksoi Uitrih, janë në përputhje me rekomandimet e Këshillit të Evropës, të cilët përfshijnë 17 udhëzime për avancimin e arsimit në institucionet e vuajtjes së dënimit.
"Të gjithë të burgosurit duhet të kenë qasje në arsim - nga ai fillor dhe profesional, deri te aktivitetet kulturore, krijuese dhe sportive. Arsimi duhet të shihet ashtu siç do të shihej për çdo të rritur tjetër në shoqëri", theksoi Uitrih, duke theksuar se vëmendje e veçantë duhet t'u kushtohet personave me vështirësi në lexim dhe shkrim.
Sipas tij, të gjithë që janë të përfshirë në menaxhimin me burgjet duhet ta mbështesin dhe lehtësojnë procesin e arsimit, ndërsa aktivitetet kreative dhe kulturore duhet të kenë rol të rëndësishëm për shkak të ndikimit të tyre pozitiv mbi zhvillimin personal dhe integrimin social të të burgosurve.
Ai paralajmëroi se deri në fund të këtij viti do të miratohen rekomandime të Këshillit të Evropës, të cilët do të përmbajnë më shumë se 17 anëtarët e deritanishëm dhe do të përqendrohen më thellësisht në nevojat specifike arsimore të të burgosurve.
Konferenca do të zgjasë deri më 15 nëntor dhe është takimi më i rëndësishëm evropian kushtuar arsimimit në burgje. Ngjarja përfshin më shumë se njëzet punëtori tematike, leksione nga folës kryesorë dhe tryeza të rrumbullakëta, me pjesëmarrjen e mësuesve, studiuesve, stafit të burgjeve, përfaqësuesve të institucioneve dhe ish-të dënuarve që janë angazhuar në programe edukative gjatë qëndrimit të tyre në burg.
Konferenca do të jetë e mbyllur me miratimin e deklaratës së përbashkët për mbështetje të arsimit në burgje si element kyç në procesin e risocializimit dhe dinjitetit njerëzor. fc/
Foto: MIA