Uitkof i përgjigjet Hamasit se kërkesat e tyre janë "krejtësisht të papranueshme"
- I dërguari amerikan për Lindjen e Afërt mbrëmë deklaroi se kërkesat e Hamasit për shtesa dhe ndryshime në propozimin për një armëpushim të përkohshëm me Izraelin në Rripin e Gazës janë "krejtësisht të papranueshme".
Uashington, 1 qershor 2025 (MIA) - I dërguari amerikan për Lindjen e Afërt mbrëmë deklaroi se kërkesat e Hamasit për shtesa dhe ndryshime në propozimin për një armëpushim të përkohshëm me Izraelin në Rripin e Gazës janë "krejtësisht të papranueshme".
Propozimi i të dërguarit të posaçëm të Donald Tramp për Lindjen e Afërt, Stiv Uitkof, nënkupton një armëpushim 60-ditor dhe lirimin e 28 nga 58 pengjet që mbahen ende në Gazë, në këmbim të lirimit të 1.200 palestinezëve nga burgjet izraelite dhe rrjedhës së papenguar të ndihmës humanitare në enklavë.
Grupi islamist palestinez deklaroi më parë se ishte gati të lironte 10 pengje të gjallë dhe 18 të vdekur në këmbim të lirimit të një numri të madh palestinezësh nga burgjet izraelite, dhe gjithashtu kërkoi përfundimin e luftës dhe tërheqjen e trupave izraelite nga enklava, kushte që Izraeli i refuzon.
Hamasi njoftoi se përgjigjja e tyre ndaj propozimit "synon arritjen e një armëpushimi të qëndrueshëm, një tërheqje të plotë nga Rripi i Gazës dhe sigurimin e rrjedhës së ndihmës humanitare për njerëzit tanë në Rripin".
Duke konfirmuar se ka marrë përgjigjen nga Hamasi, Uitkof postoi në X: "Është plotësisht e papranueshme dhe vetëm na kthen prapa."
"Hamasi duhet ta pranojë propozimin kornizë si bazë për negociata urgjente që mund t'i fillojmë menjëherë, brenda javës së ardhshme", shkroi Uitkof.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dje deklaroi se Hamasi ende e refuzon propozimin nga i dërguari i presidentit amerikan Donald Tramp për Lindjen e Afërt për një armëpushim në Gazë. Izraeli do të vazhdojë operacionet e tij në Gazë me qëllim kthimin e pengjeve dhe mposhtjen e Hamasit"; tha Netanjahu.
Ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Gideon Saar, njoftoi dje në emisionin X se Hamasi është përgjegjës për vazhdimin e luftës në Gazë, sepse refuzon të lirojë pengjet dhe të çarmatoset.
Një zyrtar palestinez i njohur me bisedimet deklaroi se Hamasi po kërkon, ndër të tjera, lirimin e pengjeve në tre faza gjatë armëpushimit dy-mujor dhe shpërndarjen e ndihmave në pjesë të ndryshme të enklavës. ls/
Foto:EPA