UEFA ua dha të drejtat e organizimit të Kampionatit Evropian në vitin 2027, Shqipërisë dhe Serbisë
- Shqipërisë dhe Serbisë i janë dhënë të drejtat e organizimit të Kampionatit Evropian të UEFA-s për U21 në vitin 2027, bëri të ditur UEFA. Vendimi është marrë sot dhe pas dy ditësh do të hidhet shorti për kualifikimet për në finale, ku do të marrë pjesë edhe reprezentacioni i Maqedonisë për të rinjtë.
- Post By Melahat Baftija
- 20:04, 4 shkurt, 2025
Nion, 4 shkurt 2025 (MIA) - Shqipërisë dhe Serbisë i janë dhënë të drejtat e organizimit të Kampionatit Evropian të UEFA-s për U21 në vitin 2027, bëri të ditur UEFA. Vendimi është marrë sot dhe pas dy ditësh do të hidhet shorti për kualifikimet për në finale, ku do të marrë pjesë edhe reprezentacioni i Maqedonisë për të rinjtë.
Oferta e përbashkët e Shqipërisë dhe Serbisë është e vetmja që po shqyrtohej sot, pasi dy pretendentët e tjerë për Kampionatin Evropian U21 2027, Belgjika dhe Turqia u tërhoqën mbrëmë.
Federata Shqiptare e Futbollit mirëpreti vendimin e sotëm të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që i jep të drejtën Shqipërisë të jetë një nga vendet organizatore të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027.
Ky turne, i cili do të zhvillohet në qershor të vitit 2027, do të përfshijë 16 skuadra që përfaqësojnë talentet më të spikatura të futbollit të moshave në Europë, mes tyre edhe lojtarë që tashmë aktivizohen në ligat më të mira të kontinentit. Si një nga vendet pritëse, Shqipëria do të ketë për herë të parë mundësinë që të përfaqësohet me brezin e saj të ri të futbollistëve U-21 në një turne madhor ndërkombëtar.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, deklaroi se, “ky është një vendim shumë i rëndësishëm nga UEFA, sepse Kampionati Europian U-21 i vitit 2027 do të jetë më shumë sesa një turne futbolli. Ai do të shërbejë si një katalizator për të thyer barriera, për të forcuar mirëkuptimin e ndërsjellë dhe për të krijuar një të ardhme më pozitive për popujt e Shqipërisë dhe Serbisë. Ky turne do të tregojë gjithashtu se çfarë mund të arrihet kur njerëzit bashkohen rreth një objektivi të përbashkët, të frymëzuar nga fuqia e futbollit”.
Dy vendet organizatore do të mirëpresin secila nga tetë skuadra pjesëmarrëse, ndërsa ekipet do të luajnë në vendin e tyre pritës deri në finalen e madhe, e cila do të zhvillohet në "Arenën Kombëtare" në Tiranë.
Ky stadium, me një kapacitet prej 22,000 spektatorësh, ka pritur finalen e UEFA Europa Conference League në vitin 2022. Ndërkohë, ndeshjet e tjera të Kampionatit Europian U-21 të vitit 2027 që do të zhvillohen në Shqipëri, do të luhen në stadiumin "Loro Boriçi" në Shkodër, "Elbasan Arena" në Elbasan dhe "Arena Egnatia" në Rrogozhinë. mb/
Foto: MIA