Udhëheqësit evropianë vendosin nëse do ta shoqërojnë Zelenskin gjatë vizitës në Uashington
- Udhëheqësit evropianë do të vendosin sot nëse presidenti ukrainas Volodimir Zelenski do të shoqërohet gjatë vizitës së tij në Uashington, ku nesër do të takohet me presidentin e SHBA-së Donald Tramp, tha ministri i Jashtëm gjerman Johan Vadeful.
- Post By Sara Ademi
- 12:35, 17 gusht, 2025
Bruksel, 17 gusht 2025 (MIA) - Udhëheqësit evropianë do të vendosin sot nëse presidenti ukrainas Volodimir Zelenski do të shoqërohet gjatë vizitës së tij në Uashington, ku nesër do të takohet me presidentin e SHBA-së Donald Tramp, tha ministri i Jashtëm gjerman Johan Vadeful.
I pyetur nëse kancelari gjerman Friedrih Merc mund ta shoqëronte Zelenskin në Uashington, Vadeful tha se shumë evropianë do të donin të udhëtonin me presidentin ukrainas nëse do të merrej një vendim i tillë. "Kjo do të arrihet këtë fundjavë dhe dëshira e Fridrih Merc për të marrë përgjegjësi është e qartë dhe ai e ka treguar qartë këtë ditët e fundit. Kjo çështje do të shqyrtohet kolektivisht", tha Vadeful dje për transmetuesin gjerman ARD.
Pas samitit midis Trampit dhe presidentit rus Vladimir Putin në Alaska, Merc tha dje se mirëpret përpjekjet e presidentit amerikan për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë dhe për të arritur paqe të qëndrueshme.
Presidenca franceze njoftoi se sot udhëheqësit e vendeve të "Koalicionit të të Përgatiturve" - presidenti francez Emanuel Makron, kryeministri britanik Kir Starmer dhe kancelari gjerman Merc - do të diskutojnë për situatën në Ukrainë. sa/
foto: arkivi