• e shtunë, 21 dhjetor 2024

Uashingtoni kërkon përgjigje nga Izraeli për vdekjen e njerëzve gjatë shpërndarjes së ndihmave në Gazë

Uashingtoni kërkon përgjigje nga Izraeli për vdekjen e njerëzve gjatë shpërndarjes së ndihmave në Gazë

Uashington, 29 shkurt 2024 (MIA) - Shtetet e Bashkuara të Amerikës kërkuan “përgjigje” nga Izraeli pas vdekjes së më shumë se 110 personave, sipas Hamasit palestinez, gjatë shpërndarjes së ndihmave në Gazë, që u shndërrua në kaos.

“Që nga mëngjesi i sotëm, ne kemi qenë në kontakt me qeverinë izraelite dhe e kuptojmë se hetimi është në vazhdim. Ne po e monitorojmë nga afër atë hetim dhe do të bëjmë presion për përgjigje”, deklaroi për gazetarët zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mejtu Miler.

Ushtarët izraelitë hapën zjarr sot në Gazë ndaj njerëzve që nxitonin për të marrë ndihma nga kamionët me ndihma humanitare, me ç'rast sipas Hamasit palestinez, e kanë humbur jetën 112 persona.

Sipas dëshmitarëve okularë palestinezë dhe autoriteteve shëndetësore, janë plagosur të paktën 700 persona.

Përfaqësuesit zyrtarë izraelitë pranojnë se ushtarët izraelitë hapën zjarr dhe thonë se ata e bënë këtë kur turma u afrua në një mënyrë kërcënuese.

Sipas dëshmitarëve okularë dhe shërbimeve shëndetësore të Gazës, ushtarët e vendosur aty pranë për të mbrojtur autokolonën hapën zjarr ndaj një turme që po shtyhej drejt kamionëve që mbërritën në rrethrrotullimin e qytetit. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR