• e hënë, 23 dhjetor 2024

Uashingtoni dhe Londra deri më tani pa dritë të gjelbër që Kievi të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar Rusinë

Uashingtoni dhe Londra deri më tani pa dritë të gjelbër që Kievi të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi për të sulmuar Rusinë

Uashington, 14 shtator 2024 (MIA) - Presidenti amerikan Xho Bajden dhe kryeministri britanik Kir Starmer në takimin e mbrëmshëm në Uashington nuk morën një vendim për të lejuar Ukrainën të përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi për të shënjestruar Rusinë, raporton Bi-Bi-Si.

Më herët, presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi Perëndimin që të mos lejojë Ukrainën të lëshojë raketa me rreze të gjatë veprimi ndaj Rusisë. Putini tha se një veprim i tillë do të nënkuptonte përfshirje të drejtpërdrejtë të NATO-s në luftën në Ukrainë dhe se do të përgjigjet në përputhje me rrethanat.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe aktualisht nuk po i japin Ukrainës leje për të përdorur raketa me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave në Rusi, pikërisht për shkak të frikës nga përshkallëzimi.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski u ka bërë thirrje vazhdimisht aleatëve perëndimorë që të japin leje, duke theksuar se kjo është mënyra e vetme për t'i dhënë fund luftës. Kievi pretendon se duke mos lejuar të shënjestrojë bazat në Rusi nga të cilat nisin sulmet ndaj Ukrainës, pengohet aftësia e Ukrainës për t'u mbrojtur.

Mbretëria e Bashkuar, pas pushtimit të forcave ukrainase në rajonin e Kurskut të Rusisë muajin e kaluar, tha se Ukraina "ka të drejtë" të përdorë armët e furnizuara nga Britania për "vetëmbrojtje", gjë që "nuk përjashton operacionet në territorin e Rusisë".

Megjithatë, kjo përjashton përdorimin e raketave me rreze të gjatë Storm Shedou në territorin jashtë kufijve të njohur ndërkombëtarisht të Ukrainës.

Ndërkohë, SHBA-ja i dorëzoi Ukrainës raketa me rreze të gjatë veprimi në fillim të këtij viti, por nuk u dha asnjë miratim për përdorim kundër objektivave thellë brenda territorit rus. sa/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR