U shënua 44-vjetori i Pranverës së dinjitetit dhe u ndan diplomat e magjistrantëve
- Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u shënua 44-vjetori i fillimit të demonstratave studentore të Kosovës, të cilat ndezën shkëndijat e para të guximit rinor që pulsonte vrullshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në ardhje. Në këtë ditë simbolike, u bë edhe ndarja e diplomave të studentëve që kanë magjistruar në drejtimin e Historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në ITShKSh.
- Post By Fami Bajrami
- 15:33, 11 mars, 2025

Shkup, 11 mars 2025 – Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup u shënua 44-vjetori i fillimit të demonstratave studentore të Kosovës, të cilat ndezën shkëndijat e para të guximit rinor që pulsonte vrullshëm për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës në ardhje. Në këtë ditë simbolike, u bë edhe ndarja e diplomave të studentëve që kanë magjistruar në drejtimin e Historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në ITShKSh.
Në fjalën e tij, drejtori i Institutit, Skender Asani, tha se Lëvizja Studentore e vitit 1981 ishte një pikë kthese në historinë e shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Studentët e asaj kohe u bënë zëri i një populli të tërë që kërkonte drejtësi dhe dinjitet, dhe sakrificat e tyre mbeten një burim frymëzimi për gjeneratat e sotme.
“Në këtë frymë, ndarja e diplomave të para në ciklin e dytë akademik në Institutin tonë simbolizon fuqinë e dijes dhe përkushtimit ndaj ruajtjes së identitetit kombëtar. Ky institut, si një qendër e studimit dhe promovimit të trashëgimisë sonë kulturore, i përket një misioni të madh: të ruajë dhe të zhvillojë atë që brezat e mëparshëm e mbrojtën me sakrificë”, u shpreh Asani.
Ambasadori shqiptar në Shkup, Denion Meidani, përshëndeti të pranishmit, e në veçanti plejadën e veprimtarëve të 81-shit, të cilët ishin lokomotiva e zhvillimeve pozitive kombëtare, që sollën lirin dhe pavarësinë e Kosovës.
Fjalë rasti, patën veprimtarët e njohur të lëvizjes kombëtare, që kishin ardhur enkas nga Kosova për këtë aktivitet kombëtar në Institut, si: Hydajet Hyseni, Binak Ulaj dhe Xhevat Gjini, të cilët ishin protagonistë të atyre zhvillimeve me peshë kombëtare.
Ndërsa, fjalë rasti pati edhe këshilltari shkencor në ITSHKSH, Sevdail Demiri, i cili theksoi rolin historik të 11 marsit 1981, por edhe rëndësinë e zhvillimit shkencor të Institutit me studimet e magjistraturës.
Më pas drejtori Asani ndau diplomat për nëntë studentët e diplomuar në drejtimin e Historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në ITShKSh.