U prezantua Pasqyra paraprake e Programeve të Hartuara Buxhetore në kuadër të Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2024-2044
- - Grupi Parlamentar Ndërpartiak për Monitorimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit mbajti sot mbledhjen e dytë.
- Post By Fitore Curri
- 15:32, 10 tetor, 2025
Shkup, 10 tetor 2025 (MIA) - Grupi Parlamentar Ndërpartiak për Monitorimin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit mbajti sot mbledhjen e dytë.
Siç informojnë nga shërbimi për informim i Kuvendit, në mbledhje, prof. dr. Aleksandar Stojkov dhe prof. dr. Borçe Trenovski e prezantuan Pasqyrën paraprake të Programeve të Hartuara Buxhetore në kontekstin e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit 2024-2044, e cila përfshin 102 prioritete në 6 fusha strategjike në nivel qendror dhe lokal, përmes një analize të 94 programeve vjetore të 20 institucioneve dhe 67 programeve të pushtetit lokal.

Kryetari i Kuvendit dhe kryetari i GPIP, Afrim Gashi, tha se Pasqyra paraprake e Programeve të Hartuara Buxhetore ofron këqyrje se si ndahen mjetet buxhetore në kontekstin e SKZH. Gashi theksoi se është veçanërisht e rëndësishme që në vitin e parë të zbatimit të SKZH-së, të përgatitet një raport i tillë që i hartëzon fushat që duhet të adresohen përmes SKZH-së.
Sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, në fjalimin e tij, iu referua aktiviteteve që Sekretariati i Përgjithshëm ka zbatuar në periudhën e kaluar dhe aktiviteteve që janë planifikuar deri në fund të vitit 2025. Ai theksoi se Harta e Investimeve jep një pamje të investimeve në nivel qendror dhe lokal, dhe në të njëjtën kohë është një udhërrëfyes për investimet e ardhshme në vend. Komitetet punuese punojnë sipas fushave dhe propozimet e tyre bashkohen në propozime për zbatimin e SKZH-së.
Përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së, Armen Grigorjan, nënvizoi se UNDP mbetet një partner, integrues dhe lehtësues i përkushtuar për zbatimin e SKZH-së. Përgatitja dhe zbatimi i SKZH-së është një segment veçanërisht i rëndësishëm për UNDP-në, sepse SKZH-ja është më shumë sesa një plan, është një premtim kolektiv për brezat e ardhshëm.

Bashkëkryetarët e GPIP-së, Nikola Micevski dhe Oliver Spasovski, e përshëndetën mënyrën e këtillë të informimit dhe koordinimit midis Parlamentit, Qeverisë dhe faktorëve shtetërorë.
Anëtarët e Grupit ranë dakord që sesionet e GPIP-së në këtë format dhe me fokus në raporte kaq të rëndësishme janë veçanërisht të rëndësishme jo vetëm për anëtarët e GPIP-së, por edhe për shtetin. Ata theksuan se të gjitha institucionet, gjatë përgatitjes së buxhetit, duhet të udhëhiqen nga SKZH-ja, si dokumenti kryesor strategjik kombëtar. Mbledhje të tilla dhe transparenca e procesit do të konfirmojë se zbatimi i SKZH-së është mbi interesat partiake, duke i dhënë përparësi interesit të shtetit. fc/
Foto: Kuvendi