Turqinë këtë vit e goditën 53.262 tërmete
- – Turqinë këtë vit e goditën gjithsej 53.262 tërmete, mesatarisht gjashtë tërmete në çdo orë, që është viti i dytë me më shumë lëkundje të regjistruara në vend, menjëherë pas vitit 2023, deklaroi sot profesori i Universitetit Gazi në Ankara, Bulent Ozmen.
- Post By Fitore Curri
- 20:18, 30 dhjetor, 2025
Ankara, 30 dhjetor 2025 (MIA) – Turqinë këtë vit e goditën gjithsej 53.262 tërmete, mesatarisht gjashtë tërmete në çdo orë, që është viti i dytë me më shumë lëkundje të regjistruara në vend, menjëherë pas vitit 2023, deklaroi sot profesori i Universitetit Gazi në Ankara, Bulent Ozmen.
Sipas tij, gjatë vitit 2025 janë shënuar 437 tërmete me magnitudë më të madhe se 4 ballë sipas shkallës Rihter, prej të cilëve 412 ishin me magnitudë prej 4 deri 5, 20 ndërmjet 5 dhe 6, përderisa pesë tërmete ishin me magnitudë prej 6 deri 6,9 ballë.
“Këto të dhëna tregojnë se në Turqi mesatarisht çdo ditë ndodh nga një tërmet me magntitudë prej 4 ballë, çdo 15 ditë tërmet me magnitudë prej 5 e më shumë, ndërsa çdo 73 ditë lëkundje me magnitudë prej 6 e më shumë ballë. Kjo do të thotë se vendi mesatarisht është i goditur me rreth gjashtë tërmete në orë, gjegjësisht 146 në ditë”, deklaroi Ozmen për agjencinë Anadollia.
Tërmeti më i rëndësishëm i vitit, tha ai, ishte tërmeti me magnitudë 6,2 që goditi Silivrin më 23 prill, i cili, sipas tij, konfirmoi edhe një herë se rreziku sizmik në Stamboll mbetet i lartë. Si një seri të dytë të rëndësishme tërmetesh, ai veçoi dy tërmetet me magnitudë 6,1 që goditën Sindregin më 10 gusht dhe 27 tetor. Nga 10 gushti deri më sot, në atë zonë janë regjistruar rreth 21.000 tërmete, të cilat mund të konsiderohen numri më i madh i tërmeteve të regjistruara ndonjëherë në një qark në Turqi.
Ozmeni paralajmëroi se në Turqi edhe më tutje ekzistojnë numër i madh i objekteve të cilët nuk janë rezistues në tërmete, duke bërë të ditur se edhe lëkundjet me magnitudë mbi 5 ballë ndonjëherë shkaktojnë dëmtime serioze, për çka, siç theksoi, është e nevojshme të përshpejtohen projektet për rinovim.
Në tërmetet gjatë vitit 2025 humbën jetën tre persona, përderisa 594 persona ishin lënduar, me çka të gjitha lëndimet, siç bëri të ditur, ishin pasojë e panikut. Ozmen vlerësoi se ato të dhëna tregojnë qartë nevojën e rritjes së numrit të edukimeve për sjellje në situata të jashtëzakonshme, të cilat do të duhej t’i zbatojnë persona profesionistë dhe të kualifikuar. fc/
Foto: Arkivi i MIA-s