Turqia: Ofensiva në Rafah është edhe një krim lufte i Izraelit
- Zëvendës presidenti turk Xhevdet Jilmaz deklaroi se Izraeli ka kryer edhe një krim të luftës me realizimin e ofensivës tokësore në qytetin Rafah në jug të Gazës.
- Post By Besnik Shuki
- 18:44, 7 maj, 2024
Ankara, 7 maj 2024 (MIA) - Zëvendës presidenti turk Xhevdet Jilmaz deklaroi se Izraeli ka kryer edhe një krim të luftës me realizimin e ofensivës tokësore në qytetin Rafah në jug të Gazës.
"Me realizimin e ofensivës tokësore në Rafah, vetëm një ditë pasi Hamasi e ka pranuar propozimin e Katarit dhe Egjiptit për armëpushim, Izraeli shtoi edhe një krim të luftës te ato që tashmë i ka kryer në territorin e Palestinës nga 7 tetori", ka shkruar Jilmaz në platformën Iks.
Ai shtoi se kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu dhe të gjithë ata në pushtet që heshtin, në fund do të mbajnë përgjegjësi para njerëzimit.
Jilmaz paralajmëroi se Turqia do të bëjë çmos që ta dënojë qeverinë izraelite për shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
Armata izraelite (IDF) paraprakisht sot publikoi se e ka ndërmarrë kontrollin operativ ndaj anës palestineze të vendkalimit jugor Rafah në Gazë, që kufizohet me Egjiptin. bsh/
Foto: DPA