• e diel, 22 dhjetor 2024

Tunizia refuzoi vizitë të një delegacioni të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian

Tunizia refuzoi vizitë të një delegacioni të Komitetit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian

Bruksel, 15 shtator 2023 (MIA) - Autoritetet tuniziane refuzuan hyrjen në vend pesë anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian (AFET), të cilët dje duhej të shkonin për vizitë zyrtare në vend. 

 Në një letër drejtuar delegacionit të Bashkimit Evropian në Tunizi, Ministria e Punëve të Jashtme e Tunizisë tha se delegacioni i Parlamentit Evropian "nuk do të autorizohet të hyjë në territorin kombëtar".

Ndaj këtij vendimi reagoi Shërbimi Evropian për Punë të Jashtme (EEAS), i cili theksoi se ishte thellësisht i habitur nga ky vendim, pas vizitave të shumta të muajve të fundit që “bënë të mundur vendosjen e një dialogu të sinqertë dhe të hapur midis të gjitha institucioneve evropiane dhe tuniziane, si dhe me përfaqësuesit e shoqërisë civile”.

"Ambasadori ynë në vend shprehu menjëherë keqardhjen tonë për këtë vendim që nuk ndihmon në forcimin e marrëdhënieve tona. Bashkimi Evropian dhe Tunizia janë të lidhura me një partneritet të fortë dhe strategjik. Vazhdimi i dialogut të hapur është edhe më i rëndësishëm në një kohë kur së bashku po përballemi me sfida të paprecedentë", thuhet në reagimin e EEAS.

 Për refuzimin e vizitës reagoi edhe Komiteti i Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, i cili dënoi vendimin e autoriteteve tuniziane dhe kërkoi një "shpjegim të detajuar".

Kjo sjellje është e paprecedentë që nga revolucioni demokratik i vitit 2011, thuhet në njoftimin e AFET-it. si/ar/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR