Tubimi i BDI-së në Çair
- Bashkimi Demokratik për Integrim sonte mban tubim në sallën sportive "Shaban Tërstena".
- Post By Sara Ademi
- 20:09, 20 mars, 2023
Shkup, 20 mars 2023 9MIA) - Bashkimi Demokratik për Integrim sonte mban tubim në sallën sportive "Shaban Tërstena".
Në tubim marrin pjesë lideri i partisë Ali Ahmeti, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dhe ministra qeveritarë nga radhët e BDI-së.
Zëvendëskryeministri Artan Grubi para fillimit të tubimit tha se pret pjesëmarrje masive. Ai tha se tubimi është vazhdimësi e tubimeve që i kishte BDI-ja në Tetovë, Gostivar, Zhelinë, Vrapçishte dhe komuna të tjera dhe paralajmëroi se do të vazhdojnë edhe në degët tjera të partisë në mbarë vendin. Grubi mohon që njerëzit në tubim të jenë nën presion. Thotë se tubimi mbahet në një atmosferë të bukur, spektakolare dhe do të dërgohen mesazhe të bukura.
"Çairi është e Ali Ahmetit dhe e BDI-së, tha Grubi, duke mohuar se bëhet fjalë për revanshizëm ndaj Izet Mexhitit nga "grupi i zjarrit". Shtoi se Mexhiti është ftuar, por, siç ka deklaruar, "në fund të fundit askush nuk është i ftuar në shtëpinë e tyre".
Izet Mexhiti i cili përfaqëson të ashtuquajturin "grupi i zjarrit" të BDI-së, paraprakisht tha se ai si kryetar i degës së Çairit të kësaj partie nuk është ftuar në tubimin e sontëm.
Mexhiti i cili së bashku me kryetarët e komunave të Çairit dhe Qytetit të Shkupit, Visar Ganiu dhe Danela Arsovska, mori pjesë në fillimin zyrtar në ndërtimin e Mega parkut, tha se tubimi i sontëm i BDI-së më shumë i ngjan një koncerti duke pasur parasysh, siç tha ai, "sillen emra të njohur nga estrada".
Tubimi i sontëm në Çair është tubimi i parë i madh në të cilin do të drejtohet Ahmeti, pasi dy palët "ndërluftuese" të BDI-së kanë tubime paralele prej gjysmë viti.
Para tri javësh, fraksioni "Grupi i zjarrit" në parti mbajti një tubim në Çair ku u kritikuan ministrat e BDI-së, veçanërisht Grubi.
Përplasja në BDI u thellua pasi Ahmeti si koordinator të degës së Çairit e emëroi shefin e diplomacisë Bujar Osmani, hap i cili "për grupin e zjarrit" është jostatutor, pasi Izet Mexhiti është kryetar i degës së Çairit. Këtë e interpretojnë si eleminim partiak të "grupi të zjarrit" dhe paralajmërim për hapa të ardhshëm edhe ndaj koordinatorëve të tjerë "të padëgjueshëm". sa/