Tryeza e rrumbullakët: Vendi ndodhet në një udhëkryq mes sistemit të vjetër dhe së ardhmes së re evropiane
- Plani për rritje dhe Agjenda reformuese nuk janë vetëm kushte për integrim, ato janë instrument për rimëkëmbjen e vendit tonë. Reformat nuk janë vetëm për përmbushjen e kërkesave të KE-së, por edhe për çdo qytetar që dëshiron edukim më të mirë, administratë efikase, ajër të pastër, drejtësi korrekte dhe punë të vlefshme. Agjenda ofron kuadër për ndërtimin e shoqërisë më korrekte, më të gjelbër dhe më progresive, por që ajo të jetë më e suksesshme, reformat duhet të jenë cilësore, gjithëpërfshirëse dhe tranparente.
- Post By Qefsere Abduli
- 14:48, 23 prill, 2025

Shkup, 23 prill 2025 (MIA) - Plani për rritje dhe Agjenda reformuese nuk janë vetëm kushte për integrim, ato janë instrument për rimëkëmbjen e vendit tonë. Reformat nuk janë vetëm për përmbushjen e kërkesave të KE-së, por edhe për çdo qytetar që dëshiron edukim më të mirë, administratë efikase, ajër të pastër, drejtësi korrekte dhe punë të vlefshme. Agjenda ofron kuadër për ndërtimin e shoqërisë më korrekte, më të gjelbër dhe më progresive, por që ajo të jetë më e suksesshme, reformat duhet të jenë cilësore, gjithëpërfshirëse dhe tranparente.
Kjo u porosit në hapjen e Tryezës së rrumbullakët për sfidat dhe përfitimet e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Kryeministri Hristijan Mickoski, në fjalimin e tij hyrës, porositi se çdo popull ka momente kur duhet të zgjedh nëse do të qëndrojë në ngecje të rehatshme apo do të përballet me nevojën për ndryshime të thella dhe të guximshme dhe se vendi është pikërisht në një moment të tillë - në një udhëkryq mes sistemit të vjetër dhe të ardhmes së re evropiane.
"Plani për rritje dhe Agjenda reformuese nuk është vetëm kusht për integrim. Ato janë instrument për rimëkëmbjen e shoqërisë sonë. Integrimet dhe rritja janë busulla jonë, por reformat duhet të jenë vendimet tona, politikat tona, pjekuria e jonë kombëtare", deklaroi Mickoski.
Korrupsioni, theksoi Mickoski, është problem sistemik dhe një sistem që mbron veten, ndërsa nëse duam rritje, duhet ta rrëzojmë atë sistem.
"Kemi trashëguar situata, në të cilat qytetari ndihet i poshtëruar, i pafuqishëm, i detyruar të 'paguajë për të marrë' – qoftë kujdes mjekësor, mbrojtje ligjore, apo ndonjë lloj shërbimi administrativ. Një shtet i tillë nuk mund të përparojë", deklaroi Mickoski, duke theksuar se pikërisht këto reforma në sektorin e drejtësisë janë më urgjente dhe pa to, të gjitha reformat e tjera janë të pavlera.
Drejtësia është vlera më e lartë evropiane dhe përgjegjësia jonë, vlerësoi Mickoski, si politikanë, është të krijojmë kushte për depolitizimin e plotë të gjyqësorit, mbrojtjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga presionet politike dhe të biznesit, por edhe mekanizma të ndryshëm për mbikëqyrje dhe llogaridhënie të jashtme.
"Përkrahje të vërtetë, e jo formale të institucioneve për luftë kundër korrupsionit", porositi ai.
Historia, tha Mickoski, nuk do të na dënojë pas asaj që e kemi thënë, por sipas asaj që e kemi vepruar. "Nuk na duhet neve strategji plotësuese, premtime. Na duhet sinqeritet, qëndrueshmëri dhe zbatim. Na duhet qëndrim i ri ndaj drejtësisë, ndaj ligjit, ndaj shtetit", tha Mickoski.
Ministri i Çështjeve Evropiane, Orhan Murtezani, në fjalimin e tij hyrës, tha se reformat 2024-27 janë pjesë e një pamjeje më të madhe dhe jo vetëm për përmbushjen e kërkesave të KE-së, por për çdo qytetar që dëshiron edukim më të mirë, administratë efikase, ajër të pastër, drejtësi korrekte dhe punë të vlefshme.
Agjenda reformuese, theksoi Murtezani, i përfshin prioritetet më të rëndësishme, siç janë sundimi i së drejtës, transformimin digjital, tranzicionin e gjelbër, përforcimin e kapitalit njerëzor dhe qeverisjen e mirë.
"Filluam me hapa konkretë. Ligje të reja për transparencë buxhetore, zbatimin e sistemeve të kontrollit të brendshëm, planet operative për tranzicionin energjetik, reformimin e arsimit profesional. E gjithë kjo nuk është vetëm për shifra në raporte, por për të mundësuar të nesërme më të mirë për të rinjtë", deklaroi Murtezani.
E ardhmja nuk ndodh, ajo ndërtohet, theksoi Murtezani, duke theksuar se përmes vendosjes së kornizave të reja ligjore për Prokurorinë Publike dhe Këshillat Gjyqësorë, përmes krijimit të qendrave rajonale për arsimin profesional, përmes krijimit të modeleve për ekonomi inovative dhe të gjelbër, ne nuk po ndërtojmë “evropianizimin në letër”, por zhvillimin që matet me besim, gjithëpërfshirje dhe qëndrueshmëri.
"E ardhmja nuk është çështje e vendimeve të vonuara, por hapa të përgjegjshme në kohë. Ajo formësohet sot, përmes mirëkuptimit të thelluar dhe vullnetit të përbashkët dhe jo vetëm nga Qeveria, por nga të gjithë ata që besojnë se Maqedonia e Veriut ka kapacitet dhe të drejtë për sukses", porositi Murtezani.
Ambasadorja e Suedisë, Ami Larson Xhain, theksoi se agjenda reformuese ofron kornizë për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, më të gjelbër dhe më progresive, por që ajo të jetë e suksesshme, reformat duhet të jenë efektive, gjithëpërfshirëse dhe transparente.
"Suedia mbetet partner i përkushtuar i Maqedonisë së Veriut në rrugën e vet drejt anëtarësimit në BE. Së bashku me Zvicrën synojmë të përforcojmë institucionet demokratike, të nxisim sundimin e ligjit dhe të promovojmë qeverisjen e mirë", deklaroi Larson Xhain.
Liria e mediave, përfshirja e shoqërisë civile dhe të rinjve, sipas Larson Xhain, janë gurë-themelet thelbësorë të zhvillimit demokratik dhe të qëndrueshëm dhe përfaqësojnë vlera që janë pjesë thelbësore e mbështetjes sonë.
Në Tryezën e rrumbullakët për sfidat dhe përfitimet e Planit të rritjes për Ballkanin Perëndimor, që po mbahet në Qeveri, marrin pjesë edhe ish-kryenegociatori për negociatat e anëtarësimit të Kroacisë me Bashkimin Evropian, Vlladimir Drobnjak dhe profesori dhe studiuesi, eksperti i UNOPS-it, Aleksandar Stojkov. qa/bsh/
Foto: Qeveri/printskrin