Tryezë e rrumbullakët në ASHAM për të ardhmen evropiane të Ballkanit Perëndimor
- - Maqedonia e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor gjenden në një moment vendimtar për të ardhmen e tyre evropiane, u tha në tryezën e rrumbullakët me temë "Peizazhi Gjeopolitik dhe Zgjerimi i BE-së", të organizuar nga Qendra për Kërkime Strategjike "Ksente Bogoev" në ASHAM, ECPD RIDS Shkup dhe Klubi Diplomatik i Shkupit. Porosia kryesore ishte se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një proces demokratik, por një domosdoshmëri gjeopolitike.
- Post By Fitore Curri
- 14:02, 26 qershor, 2025
Shkup, 26 qershor 2025 (MIA) - Maqedonia e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor gjenden në një moment vendimtar për të ardhmen e tyre evropiane, u tha në tryezën e rrumbullakët me temë "Peizazhi Gjeopolitik dhe Zgjerimi i BE-së", të organizuar nga Qendra për Kërkime Strategjike "Ksente Bogoev" në ASHAM, ECPD RIDS Shkup dhe Klubi Diplomatik i Shkupit. Porosia kryesore ishte se zgjerimi i BE-së nuk është vetëm një proces demokratik, por një domosdoshmëri gjeopolitike.
Ministri për Çështjet Evropiane, Orhan Murtezani, tha në këtë ngjarje se Bashkimi Evropian duhet ta trajtojë politikën e zgjerimit si një çështje strategjike gjeopolitike, jo si një proces burokratik. Në fjalimin e tijtë hapjes, ai theksoi rolin kyç të Ballkanit Perëndimor për të ardhmen e Evropës dhe nënvizoi se veprimet konkrete janë më të rëndësishme sesa gjestet simbolike.
“Zgjerimi nuk është vetëm një proces burokratik, as nuk është vetëm një akt simbolik - është mbi të gjitha një çështje gjeopolitike. Sot, Evropa përballet me vendime që shkojnë përtej kornizave tradicionale, duke kërkuar qartësi strategjike dhe vendosmëri të përtërirë. Kontinenti ynë po kalon kohë të trazuara, të shënuara nga pasojat e agresionit kundër Ukrainës dhe ndryshimet në ekuilibrin global të fuqisë. Në këtë kontekst më të gjerë, Ballkani Perëndimor, dhe veçanërisht Maqedonia e Veriut, përfaqësojnë pika kyçe stabiliteti dhe një themel strategjik për Evropën”, tha ministri.
Murtezani e theksoi edhe nevojën nga integrimi i vërtetë i vendeve kandidate përmes rezultateve konkrete, në vend të proceseve të shtyra të cilët e humbin thelbin e procesit të anëtarësimit.
“Qasja e integrimit me faza e ofruar nga Komisioni Evropian është premtuese, por ne duhet të sigurohemi që ky proces të mos shndërrohet në një dhomë pritjeje të pafundme. Integrimi i vërtetë do të thotë përparim i vërtetë - hapa konkretë që përmirësojnë dukshëm jetën e qytetarëve, forcojnë institucionet dhe i vendosin vërtet vendet kandidate në bërthamën evropiane", shtoi Murtezani.
Taki Fiti, udhëheqës i Qendrës për Kërkime Strategjike "Ksente Bogoev", theksoi se "tema është jashtëzakonisht e rëndësishme dhe aktuale", duke theksuar se "gjeopolitika po ndryshon tepër shpejt dhe indeksi i rrezikut gjeopolitik është rritur vazhdimisht që nga viti 2019". Ai paralajmëroi se "mjedisi ndërkombëtar po bëhet gjithnjë e më i pafavorshëm dhe gjërat po bëhen më të ndërlikuara".

Jovan Tegovski, kryetar i Klubit Diplomatik të Shkupit, vlerësoi se zgjerimi është investim në një Evropë më të fortë dhe se Maqedonia e Veriut është një "simbol i durimit strategjik". Sipas tij, "të rinjtë dhe shoqëria jonë meritojnë një perspektivë të besueshme të BE-së"
“Zgjerimi është çelës për sigurimin e paqes, qëndrueshmërisë dhe kthimin e vlerave në të cilat bazohet BE-ja”, theksoi ai.
Prof.dr. Nikolla Popovski, paralajmëroi për tensionet e rritura globale dhe militarizimi.
"Bota po pulson me një ritëm shumë të shpejtë, madje të egër. Luftërat e reja rajonale fillojnë papritmas, por edhe mbarojnë shpejt. Shpenzimet për mbrojtjen po rriten në mënyrë dramatike - nga 2% në 5% të PBB-së, gjë që nuk përfundon kurrë në mënyrë paqësore”, theksoi ai.
Tryeza e rrumbullakët, e mbajtur në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, kishte për qëllim të analizonte ndryshimet në gjeopolitikën globale dhe ndikimin e tyre në politikën e zgjerimit të BE-së. Fokusi ishte në perspektivat e Maqedonisë së Veriut dhe vendeve të tjera kandidate nga Ballkani Perëndimor, në kontekstin e narrativës së re të BE-së mbi zgjerimin si një investim gjeostrategjik në paqe, siguri dhe stabilitet. fc/
Foto: MIA