• e enjte, 19 dhjetor 2024

Tryezë e parë e ministrisë së Drejtësisë për ndryshimet në Ligjin për Këshillin gjyqësor

Tryezë e parë e ministrisë së Drejtësisë për ndryshimet në Ligjin për Këshillin gjyqësor

Shkup, 15 nëntor 2024 (MIA) - Ministria e Drejtësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut sot organizon tryezë të rrumbullakët për nevojën e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Këshillin gjyqësor. Aktiviteti i cili mbahet në Klubin e deputetëve në Shkup me fillim nga ora 10 është pjesë e reformave të paralajmëruara në gjyqësi të Qeverisë së re.

Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov dje ka thënë se ndryshimet në Këshillin gjyqësor dhe Këshillin e prokurorëve publik janë vendimtare për progresin drejt BE-së.

"Fillojmë debatet e ekspertëve për draft ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për këshillin gjyqësor të përgatitur nga grupi punues i formuar nga Ministria e Drejtësisë. Kjo do të jetë një nga disa ngjarjet që do të pasojnë këtë periudhë. Planifikojmë ta përfundojmë procesin diku nga fundi i dhjetorit, që do të thotë se do të kemi një debat në javë. Pritshmëritë janë të larta. Konkluzionet dhe rekomandimet e tryezës së rrumbullakët do të jenë bazë për përmirësimin e mëtejshëm të tekstit të ndryshimeve në ligjin për Këshillin gjyqësor", tha ministri Fillkov në debatin e djeshëm "Platforma: 100% të përkushtuar për ty" me temën "Fokusi në drejtësi, siguri dhe mbrojtje".

Lidhur me konsultimet e paralajmëruara për reformat në Këshillin gjyqësor dhe Prokurorinë publike, nga Qeveria për MIA-n thanë ditë më parë se reformat në sistemin e drejtësisë nga një premtim parazgjedhor janë bërë pjesë e programit të qeverisë 2024-2028, konkretisht në kapitullin II-Fondi kundër korrupsionit.

"Qeveria angazhohet për zgjidhje sistematike, për transformimin e organeve të drejtësisë në institucione reale, transparente, të përgjegjshme dhe efikase. Jemi të përkushtuar seriozisht dhe i qëndrojmë idesë për të sjellë zgjidhje që do të jenë themeli i një shoqërie normale demokratike. Për të sjellë një zgjidhje të qëndrueshme, ne kërkuam diskutim dhe kërkuam gjithëpërfshirje, për të cilën nuk kemi parë një situatë të tillë deri më sot. Pra, nga këtu është mjaft logjike të pyesim nëse ka shumë subjekte të interesuara nga shpërbërja e këtyre institucioneve? Është e rëndësishme të dihet se po vjen koha e ndryshimeve dhe një shans për personel profesional dhe të aftë", thonë nga Zyra e Zëdhënësit të Qeverisë.

Fjalë hyrëse në ngjarjen e sotme do ta mbajnë ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov dhe Dieter Shindlauer, udhëheqës i ekipit të projektit "Përkrahja e BE-së për sundimin e ligjit".

Më pas, akademiku Vllado Kambovski do të mbajë prezantim të procesit të hartimit të ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për Këshillin gjyqësor e cila do të vazhdojë me diskutim.

Konkluzat dhe rekomandimet nga tryeza e rrumbullakët do të jenë bazë për përmirësimin e mëtutjeshëm të tekstit të ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për këshillin gjyqësor.

Foto: arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR