Tripunovski: Subvencionet do të shkojnë te fermerët e vërtetë, jo te “gjuetarët e subvencioneve”
- Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në një paraqitje në TV Star deklaroi se më të zëshmit në reagimet ndaj Programit të ri janë ata që nuk marrin pjesë në procesin bujqësor dhe ndihen të rrezikuar se do të eliminohen nga sistemi i subvencionimit.
- Post By Besnik Shuki
- 21:00, 23 shkurt, 2026
Shkup, 23 shkurt 2026 (MIA) - Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, në një paraqitje në TV Star deklaroi se më të zëshmit në reagimet ndaj Programit të ri janë ata që nuk marrin pjesë në procesin bujqësor dhe ndihen të rrezikuar se do të eliminohen nga sistemi i subvencionimit.
“Po i ndjek reagimet dhe mund të them me siguri se më të zëshmit janë ata që nuk marrin pjesë në procesin bujqësor dhe ndihen të rrezikuar se do të eliminohen nga Programi i ri. Ata janë shumë më të zëshëm se ata që punojnë seriozisht dhe me përkushtim në sipërfaqet e tyre dhe prodhojnë prodhim bujqësor”, theksoi ministri.
Ai, siç kumtoi MPBEU, sqaroi se është bërë një analizë e detajuar për të parë se ku ka qenë Maqedonia, ku është tani dhe ku duhet të arrijë në periudhën e ardhshme. Për këtë qëllim është formuar një grup i posaçëm pune që ka përgatitur një analizë për periudhën strategjike 2021–2027, me qëllim përcaktimin e prioriteteve dhe objektivave që duhet të arrijë Strategjia.
Sipas ministrit, të dhënat nga analiza kanë qenë shqetësuese, prandaj është vendosur të futen risi, në mënyrë që mjetet që siguron shteti të përfundojnë te fermerët e vërtetë.
“Çdo fermer që punon seriozisht dhe me përkushtim dhe prodhon produkt bujqësor e quaj fermer të vërtetë. Të gjithë ata që duan të improvizojnë ose të anashkalojnë procesin janë të ashtuquajtur ‘gjuetarë të subvencioneve’”, shtoi ministri Tripunovski.
Ai theksoi se me risitë në Program do të vendoset rend në të gjithë sektorin.
“Nëse nga viti 2007 deri vitin e kaluar janë ndarë mbi 1,8 miliardë euro në formë subvencionesh, ndërsa sot gjendja është pothuajse e njëjtë si më parë, është e pashmangshme që duhet të bëjmë ndryshime”, porositi ministri. bsh/
Foto: MPBEU