• e diel, 22 dhjetor 2024

Tripunovski: Agjencia e Rezervave të Mallrave do të furnizojë 15 mijë tonë grurë vetëm nga prodhimtaria vendore

Tripunovski: Agjencia e Rezervave të Mallrave do të furnizojë 15 mijë tonë grurë vetëm nga prodhimtaria vendore

Shkup, 3 korrik 2024 (MIA) - Agjencia e Rezervave të Mallrave do të furnizojë 15 mijë tonë grurë vetëm nga prodhimtaria vendore, nuk do të jenë me karakter importues, paralajmëroi sot pasdite ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski pas takimit të mbajtur me përfaqësues të shoqatave të bujqve dhe blerësve të drithit. 

Ministri informoi se Qeveria në seancën e djeshme e ndërpreu vendimin për shpalljen e blerjes me qëllim që, siç tha ai, "të ndryshohen të gjitha rregullat e lojës që gruri vendor të jetë ai që do të blihet". Po ashtu, Tripunovski paralajmëroi se do ta zgjasin afatin e masës për deponimin e grurit dhe elbit në mënyrë që të gjithë bujqve të cilët nuk do të munden ose nuk do të duan ta dorëzojnë grurin, t'u lejohet ta ruajnë atë dhe këtë shpenzim do a mbulojë shteti.

"Do të ndjekim procesin e korrjes dhe blerjes së grurit të bukës. Situata aktuale që po trashëgon Ministria është relativisht e vështirë, por ajo që është shumë e rëndësishme është që pas përfundimit të kësaj korrjeje do të punohet për ndryshime strukturore në mënyrë që në korrjen e ardhshme 2025 të mos kemi probleme të tilla dhe çdo vit gjatë korrjes zgjidhen situatat dhe përcaktohen çmimet. Kjo do të thotë reforma strukturore që do t'i vendosin bujqit në piedestal", tha Tripunovski.

Kryetarja e Federatës Kombëtare të Bujqve, Vaska Mojsovska theksoi se si organizatë do të lobojnë që në të ardhmen të respektohet prodhimtaria e dakorduar, gjegjësisht Ligji për Bujqësi dhe Zhvillim Rural. Potencoi se do ta ndjekin të gjithë situatën gjatë blerjes së grurit dhe në bazë të analizave të anëtarëve të tyre do të sjellin rekomandime si të veprohet në mënyrë strategjike që të ruhen gruri dhe elbi që na duhen. 

"Të gjithë e dimë se Maqedonia mund të prodhojë ushqim dhe ne këtë duhet ta bëjmë për të gjitha kulturat, ndërsa veçanërisht për bukën. Do të angazhohemi për pagesën me kohë të subvencioneve, do të lobojmë bashkë me blerësit për çmime më të larta jo vetëm për grurin por edhe për gjitha kulturat bujqësore", tha Mojsovska. 

Goran Malishiq, kryetar i Grupit të Industrisë së Mullinjve- Furrave në Odën Ekonomike, tha se ata si grup blejnë me çmime të tregut dhe njoftoi se çmimi maksimal i grurit për momentin që ofrohet në treg është rreth 12 denarë. Ai thekson se mbështesin Ministrinë në përpjekjet që në të ardhmen të bëjë përpjekje për mbrojtjen e bujqve, për të gjetur mënyrën më të mirë në program dhe cili program do të sjellë prodhim më të madh dhe cilësi më të mirë në të ardhmen. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s/MBPEU

QËNDRONI TË LIDHUR