• e hënë, 23 dhjetor 2024

Trençevska: Të drejtat e njeriut nuk vlejnë vetëm për një grup të caktuar të qytetarëve, por për të gjithë pa përjashtim

Trençevska: Të drejtat e njeriut nuk vlejnë vetëm për një grup të caktuar të qytetarëve, por për të gjithë pa përjashtim

Shkup, 24 tetor 2023 (MIA) - Të drejtat e njeriut nuk vlejnë vetëm për një grup të caktuar të qytetarëve, por për të gjithë pa përjashtim, tha ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska, në fjalimin e saj në panel diskutimin "Ballafaqimi me diskriminimin si shtytës për zhvillim" që ishte pjesë e Konferencës vjetore e Kombeve të Bashkuara për vitin 2023 "Liri, barazi dhe drejtësi për të gjithë".

Konferenca synon të promovojë dialogun për të gjetur mënyra më të mira për t'u marrë me diskriminimin, dezinformimin, lajmet e rreme dhe gjuhën e urrejtjes ndërmjet përfaqësuesve të Kuvendit, Qeverisë, institucioneve për të drejtat e njeriut, komunitetit akademik, punonjësve mediatik, shoqërisë civile, KB-së dhe partnerët që mbështesin vendin drejt progresit të përshpejtuar drejt Objektivave për Zhvillim të Qëndrueshëm dhe inkuadrimit në Bashkimin Evropian.

Trençevska foli për përgjegjësitë e Ministrisë së Punës dhe Politikës Sociale dhe kompetencat e saj, duke theksuar se barazia, mosdiskriminimi dhe drejtësia sociale janë prioritet. Ajo theksoi se në një kohë kur inteligjenca artificiale është zhvilluar dhe në një kohë kur zhvillimi teknologjik është në rritje, shoqëria ende nuk ka kapacitete të mjaftueshme për të jetuar në frymën e tolerancës dhe pranimit.

"Si ministri e cila është përgjegjëse për cilësinë më të mirë të jetës dhe mirëqenien e qytetarëve, ne kemi miratuar Ligjin për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, por korniza ligjore është ajo që përcakton rrjedhën e zhvillimit shoqëror, ose më saktë drejtimin në të cilin do të zhvillohet vetëdija shoqërore. Ky ligj ndalon çdo lloj diskriminimi në fushën e punës dhe marrëdhënieve të punës, sepse çdokush që është shtetas i vendit tonë ka të drejtë të jetë i pavarur ekonomikisht dhe të krijojë një jetë që i përshtatet. Ndalimi i diskriminimit në arsim, shkencë dhe sport, mbrojtje sociale, banim, informim publik dhe media, qasje në mallra dhe shërbime", tha Trençevska.

Ajo theksoi se zgjidhja kryesore për sfidën e diskriminimit është ndërgjegjësimi dhe kultivimi i kulturës së respektit që në moshë të vogël.

"Megjithatë, për mendimin tim, zgjidhja kyçe është puna me fëmijët që në moshë më të hershme, pra ndryshimi i mënyrës së edukimit. Dhe këtu nuk e kam parasysh ndryshimin e vlerave tona tradicionale, as edukimin që i kundërshton vlerat familjare, por edukimin që sjell pranim, përkrahje dhe barazi", theksoi Trençevska. sa/

Foto: Ministria e Punës dhe Politikës Sociale

QËNDRONI TË LIDHUR