• e diel, 22 dhjetor 2024

Trençevska: Qeveria do të rishqyrtojë vendimin për bashkimin e dy koncesioneve për minierën Ilovica-Shtuka

Trençevska: Qeveria do të rishqyrtojë vendimin për bashkimin e dy koncesioneve për minierën Ilovica-Shtuka

Strumicë, 15 korrik 2023 (MIA) - Qeveria do të rishqyrtojë vendimin për bashkimin e dy koncesioneve për minierën Ilovica-Shtuka dhe do të kërkojë informata shtesë nga ministria kompetente, ndërsa qëndrimi i LSDM-së për hapjen e minierës në Ilovica është i njëjtë me qëndrimin e qytetarëve të rajonit të Strumicës, tha ministrja Jovanka Trençevska në konferencën e sotme për media që u mbajt para objektit të OK-së të LSDM-së në Strumicë dhe para protestës që u mbajt kundër hapjes së minierës.

Ajo shtoi se Qeveria e udhëhequr nga LSDM-ja dhe institucionet kompetente nuk do të lejojnë hapjen e minierës në Ilovica pa konsultim dhe miratim nga qytetarët, nga popullata lokale, pa respektuar të gjithë procedurën dhe pa përmbushur të gjitha standardet mjedisore në përputhje me legjislacionin ekzistues të harmonizuar me atë evropian.

Trençevska theksoi se rajoni i Strumicës është rajon bujqësor, dhe fusha pjellore e Strumicës është mjet jetese për mijëra familje dhe Qeveria përmes ministrisë përkatëse ka treguar dhe dëshmuar se si duhet të përkrahet bujqësia dhe fermerët.

"Ne kemi njëqind për qind të zbatuar programin Ipard-2 në vend dhe ishim të parët në rajon që filluam zbatimin e programit Ipard-3 në vlerë prej 210 milionë eurosh i dedikuar për të gjithë sektorët e bujqësisë dhe zhvillimit rural. Kjo do të thotë se kur është fjala për bujqësinë dhe shëndetin e qytetarëve, për ne si LSDM është prioriteti ynë më i lartë", nënvizoi Trençevska, e cila së bashku me ministren e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Kaja Shukova, deputetë dhe këshilltarë nga partia e saj morën pjesë në protestën e sotme kundër hapjes së minierës në Strumicë. sa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR