• e premte, 05 dhjetor 2025

Trefishohet numri i konfiskimeve nga ekipet mobile doganore, janë kryer mbi pesë mijë kontrolle

Trefishohet numri i konfiskimeve nga ekipet mobile doganore, janë kryer mbi pesë mijë kontrolle

Shkup, 15 gusht 2025 (MIA) - Numri i konfiskimeve nga ekipet mobile doganore, pranë Njësisë për punë operative të Sektorit për kontroll dhe hetime, është trefishuar në shtatë muajt e parë të këtij viti. Gjithsej nga 1 janari deri më 31 korrik janë kryer mbi pesë mijë kontrolle, gjatë të cilave janë zbuluar 199 shkelje dhe vepra penale.

Sip informojnë nga Drejtoria Doganore, gjatë kësaj periudhe, ekipet mobile doganore kanë konfiskuar  rreth 100 mijë euro devize, 455 steka cigare, si dhe janë zbuluar 27 raste të shkeljes së të drejtave të pronësisë intelektuale, me ç’rast janë konfiskuar mbi 26 mijë copë mallra me shenja të markave tregtare të mbrojtura.

Në luftën kundër krimit të rëndë, siç raportohet, ndër rastet më të rëndësishme është sekuestrimi i 188,6 kilogramëve marihuanë – një aksion i përbashkët me shërbimet doganore në pikën kufitare të Bogorodicës. Po ashtu, në hyrje të shtetit ekipet doganore mobile kanë parandaluar tentativat për kontrabandimin e 21 emigrantëve ilegalë.

Vetëm gjatë ditëve të fundit, në kontrollet e mallit të paraqitur për doganim importi në degën doganore Shkup 4, janë konfiskuar mbi 600 copë veshje që nuk ishin deklaruar në dokumentet doganore. Gjithashtu, në kontrollet në pikëkalimin kufitar Bogorodicë, janë konfiskuar 27 steka cigare pa pulla akcize, të fshehura në gomën rezervë të një automjeti. Më herët një ekip mobil i doganës parandaloi përpjekjen për kontrabandë të 14 farave kanabisi dhe 0,5 gramë vaj kanabisi, si dhe një përpjekje për kontrabandë të stolive të arit me vlerë 1,3 milionë denarë.

Drejtoria e Doganave thekson se ekipet mobile mbeten një nga mekanizmat kyç për mbrojtjen e interesave financiare dhe sigurisë së shtetit. qa/

Foto: Drejtoria e Doganave

 

QËNDRONI TË LIDHUR