Tre të akuzuarit për sulmin e vitit të kaluar në Banjska në veri të Kosovës janë deklaruar të pafajshëm
- Asnjë nga tre të akuzuarit për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjska në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i policisë së Kosovës, nuk e pranuan fajin në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
- Post By Sara Ademi
- 12:07, 9 tetor, 2024
Prishtinë, 9 tetor 2024 (MIA) - Asnjë nga tre të akuzuarit për sulmin terrorist të vitit të kaluar në Banjska në veri të Kosovës, ku mbeti i vrarë një pjesëtar i policisë së Kosovës, nuk e pranuan fajin në seancën e sotme në Gjykatën Themelore në Prishtinë, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.
Të pandehurit Vladimir Toliq dhe Blagoje Spasojeviq refuzuan ta pranojnë fajësinë në këtë fazë të procesit, pas së cilës gjyqtari i rastit konstatoi se sipas ligjit ky veprim do të thotë se ata nuk e pranojnë fajin. I pandehuri i tretë i pranishëm në sallën e gjyqit, Dushan Maksimoviq, u deklarua i pafajshëm.
Kështu përfundoi pyetja fillestare dhe seanca e sotme.
Spasojeviç, Toliq dhe Maksimoviq janë vetëm tre nga 45 të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjska.
Në seancën e parë, e cila u shty (më 27 shtator), Gjykata Themelore njoftoi se do t'i drejtohej Gjykatës së Lartë për të kërkuar mendim nëse për rastin "Banjska" mund të zbatohet gjykimi në mungesë për pjesën tjetër të të pandehurve, të cilët janë në arrati.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, të ngritur më 11 shtator të këtij viti, të pandehurit akuzohen se "duke ushtruar dhunë me armë të rënda kanë tentuar ta shkëputin pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës dhe t'i bashkohen Republikës së Serbisë, ndërsa si pasojë e dhunës së ushtruar ka vdekur polici Afrim Bunjaku, si dhe është kërcënuar jeta e policëve tjerë dhe popullatës civile".
Udhëheqësi i grupit terrorist, ish nënkryetari i partisë së serbëve të Kosovës, Lista Srpska, Milan Radoiçiq, akuzohet se në mënyrë indirekte ka siguruar të ardhura nga viti 2017 deri më 24 shtator 2023 dhe i ka kthyer ato para në pasuri të paluajtshme dhe pronë të luajtshme, me ç'rast një pjesë e pasurisë së paluajtshme të transferuar te personat e tretë, për të fshehur burimin e pasurisë.
Të pandehurit 45 persona të nacionalitetit serb akuzohen për veprat penale "Kryerja e aktit terrorist", "Krimet e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës", "Lehtësimi dhe financimi i terrorizmit”" dhe "Pastrimi i parave".
Përveç policit të Kosovës, Bunjaku, në shkëmbimin e zjarrit mes policisë dhe grupit serb më 24 shtator të vitit të kaluar, mbetën të vrarë edhe tre nga sulmuesit, ndërsa të tjerët ikën në Serbi. sa/