• e hënë, 23 dhjetor 2024

Tre shkolla dhe një kopsht në Komunën e Çairit do të marrin fotovoltaikë

Tre shkolla dhe një kopsht në Komunën e Çairit do të marrin fotovoltaikë

Shkup, 27 shkurt 2023 (MIA) - Ministri i Vetëqeverisjes Lokale Risto Penov dhe kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, sot nënshkruan marrëveshje për bashkëfinancim të projektit për efikasitet energjetik në kuadër të programit IPA të Bashkimit Evropian, me të cilin tre shkolla dhe një kopsht në Komunë do të vendosin fotovoltaikë për prodhimin e energjisë elektrike.

"Sot me kryetarin e Çairit po nënshkruajmë marrëveshje për bashkëfinancimin e një projekti evropian për efikasitet energjetik në Komunën e Çairit, me të cilin tre shkolla dhe një kopsht do të marrin fotovoltaikë dhe me të cilin Komuna e Çairit përputhet me synimet e përgjithshme të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut për kursimin e energjisë dhe prodhimin e energjisë në mënyrë moderne ekologjike, me çka këto shkolla do të kenë më pak shpenzime, ndërsa Komunës do t'i lirohen mjete që do t'i mundësojnë të realizojë më shumë projekte për qytetarët", theksoi ministri Penov në konferencën e sotme për shtyp.

Ai informoi se projekti nga programi IPA, i cili do të realizohet së bashku me Komunën Ferizaj të Kosovës, është në vlerë prej 423 mijë euro, me ç'rast gjysmën e mjeteve do t'i shfrytëzojë komuna Çair, ndërsa Ministria do të marrë pjesë duke bashkëfinancuar 15 për qind të mjeteve.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, tha se projekti do të përfshijë shkollat ​​"Hasan Prishtina", "Imri Elezi" dhe "Liria" dhe kopshtin "Borëbardha", si pjesë e programit të bashkëpunimit ndërkufitar ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës përmes fondeve IPA nga BE.

"Këto panele fotovoltaike në Komunën e Çairit do të prodhojnë 104,780 kilovat orë energji elektrike në një vit. Njëkohësisht, përmes këtij projekti në të tri shkollat ​​është planifikuar zëvendësimi i llambave të vjetra elektrike me 1465 llamba të reja energjetike, të cilat së bashku me panelet do të ndikojnë në uljen e konsumit të energjisë elektrike, theksoi Ganiu.

Ai përmendi se projekti ka filluar në shkurt të vitit të kaluar dhe pritet të përfundojë deri në qershor të këtij viti.

I pyetur për ndryshimin e emrit të rrugës “Vojdan Çernodrinski”, Ganiu tha se procesi kishte filluar më herët, me ish-kryetarët e Komunës së Çairit dhe qytetit të Shkupit, se janë tejkaluar të gjitha fazat për ndryshimin e emrave të rrugëve dhe se edhe nga Komuna u vonuan në promovimin e emrit të ri.

Në lidhje me të njëjtën çështje, ministri Penov informoi se me emrin "Vojdan Çernodrinski" në vitin 2021 është emëruar një rrugë në lagjen Prolet në Komunën Qendër, e cila lidh bulevardet “Koço Racin” dhe “Republika Krushevës”.

Në pyetjen se kur do të fillojë realizimi i projektit të ri për bulevardin “Cvetan Dimov” në Komunën e Çairit, kryetari Ganiu tha se ekziston një shtëpi vlerësuese e zgjedhur nga Qyteti i Shkupit dhe se ajo bën vlerësimet për objektet që përfshihen me shpronësimin dhe duhet të prishen. ls/ 

QËNDRONI TË LIDHUR