• e premte, 05 dhjetor 2025

Tre pacientë të lënduar nga zjarri në Koçan ende janë jashtë vendit, grupi i dytë në Ponikva dërgohet në mesin e korrikut

Tre pacientë të lënduar nga zjarri në Koçan ende janë jashtë vendit, grupi i dytë në Ponikva dërgohet në mesin e korrikut

Shkup, 29 qershor 2025 (MIA) - Tre pacientë të lënduar në diskotekën në Koçan ende janë jashtë vendit, dy po trajtohen në Turqi dhe një në Slloveni, ndërsa grupi i dytë i të lënduarve në Ponikva do të dërgohet në mesin e korrikut, informoi sot ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve në konferencën e sotme për shtyp në Ministrinë e Shëndetësisë.

Për momentin, informacionet në lidhje me pacientët që trajtohen jashtë vendit është se janë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore. Në vendin tonë, u theksua se në Qendrën klinike të kirurgjisë plastike, ka pacientë që ndodhen atje për shkak të thellësisë së lëndimeve, por shëndeti i tyre është i qëndrueshëm. Dy pacientë janë në spitalin privat Sistina. Gjendja e të gjithë pacientëve monitorohet rregullisht.

"Grupi i parë për momentin është në Ponikva, drejt përfundimit, me ta atje janë edhe pesë fizioterapistë që punojnë në programe, një fiziatër specialist dhe një kirurg i përgjithshëm. Të rinjtë atje duan të vazhdojnë, kemi kërkesë nga disa prej tyre për të vazhduar me grupin e dytë. Grupi i dytë do të dërgohet me shumë gjasë në gjysmën e dytë të korrikut", u përgjigj Aliu.

Lidhur me akuzat nga të afërmit e viktimave në zjarrin në Koçan, për trajtim joadekuat në spitalin e Koçanit dhe mungesë të pajisjeve të përshtatshme, menjëherë pas tragjedisë, ministri tha se hetimi nga shërbimet kompetente duhet të japë përgjigje për shumë pyetje në lidhje me tragjedinë. Ai tha se spitali i Koçanit është ndër prioritetet kryesore dhe se po bëjnë çmos brenda mundësive për ta pajisur atë siç duhet. Ai shtoi se grupi i punës ka punuar vazhdimisht për këtë çështje.

Lidhur me onkologjinë, ai tha se tani ka terapi, ndërsa paralajmëroi se të hënën do të ketë takim me drejtorin për të parë se si mund të përmirësohet situata atje sa më shpejt të jetë e mundur.

Ministri përsëriti se infrastruktura në “Bardovc” nuk i ngjan spitalit, ndërsa sfidë është edhe faktori njerëzor. Kas shumë pak mjekë. Ajo që mund të zgjidhej menjëherë, u zgjidh. U morën gjithashtu disa vendime, ekspertë mjekësor të vijnë për të ndihmuar dhe për të ofruar shërbime në këtë spital.

Lidhur me vendimin për të përdorur hapësirat e parkimit nga punonjësit e Qendrës klinike, jashtë kampusit, ministri tha se ka pasur reagime si pozitive, ashtu edhe negative. Ai paralajmëroi edhe fazë të dytë të zgjidhjes së problemit të parkimit e cila nënkupton rregullimin e hapësirës së parkimit brenda kampusit.

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR