• e hënë, 23 dhjetor 2024

Transportuesit privatë edhe sot nuk do të qarkullojnë, presin vendim nga seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit

Transportuesit privatë edhe sot nuk do të qarkullojnë, presin vendim nga seanca e jashtëzakonshme e Këshillit të Qytetit të Shkupit

Shkup, 29 nëntor 2024 (MIA) - Transportuesit privatë sot nuk do të qarkullojnë nëpër rrugët e Shkupit, por shpresojnë që nga e hëna të përfshihen në komunikacion. Pas takimit të djeshëm me këshilltarët e VMRO-DPMNE-së ku u dakordua që në seancë të jashtëzakonshme të Këshillit të miratohet vendim për rritjen e çmimit për kilometrin e kaluar nga 70 në 100 denarë, transportuesit deklaruan se heqin dorë nga bllokadat që kishin paralajmëruar më herët, duke e vlerësuar propozimin e VMRO-DPMNE-së si të shkëlqyer.

"Duhet të koordinohemi me transportuesit tanë, ju e dini që jemi të rraskapitur financiarisht. Duhet të shohim nëse mjetet do të na paguhen, të shohim se çfarë thotë qyteti për këtë dhe pasi të bëjmë konsultimin, do të marrim një vendim që kur të fillojmë të qarkullojmë. Shpresoj që nga e hëna në vend të bllokadave do të jemi në rrugët e Shkupit dhe do të jemi në shërbim të Qytetit të Shkupit", deklaroi Jovica Zafirovski si përfaqësues i transportuesve privatë.

Transporti publik urban dje përsëri ka qenë në fokus të opinionit pasi transportuesit privatë paralajmëruan se nëse nuk plotësohet kërkesa e tyre për rritje të çmimit për kilometër, nga e hëna do të bllokojnë rrugët. Ata në shenjë revolte nuk kanë vënë autobusët në qarkullim për shkak se kërkesa e tyre për rritje të çmimit për kilometër nuk është vendosur në rend dite të seancës së Këshillit të Qytetit të Shkupit.

A do të ketë sërish problem me furnizimin e naftës për autobusët e NQP-së Shkup dhe nëse qytetarët nuk do të mund të përdorin transportin publik, varet nga drejtoresha e Byrosë për Prokurime Publike, tha madje mbrëmë kryetarja e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska.

Në emisionin "Vetëm intervistë" në televizionin Kanal 5, Arsovska ishte e prerë se edhe pse është kryetare e Qytetit të Shkupit, pushteti është në duart e shumicës në Këshillin që udhëhiqet nga VMRO-DPMNE. Sipas saj, mungesa e derivateve për autobusët e NQP-së është për shkak të politikës dhe përgjegjësia duhet kërkuar aty.

"Procedura ka filluar në kohë. Është bërë si duhet. Janë respektuar afatet ligjore, ka kaluar afati i ankimimit dhe në ditën e lidhjes së kontratës vjen drejtoresha e Byrosë së Prokurimit Publik dhe në kontrollet e para administrative që bën, e bën kontrollin administrativ me gjithë dijeninë dhe përgjegjësinë e saj si drejtoreshë e atij institucioni merr vendim me të cilin anulon furnizimin publik, duke ditur pasojat e asaj që po zhvillohet", tha Arsovska.

Lidhur me marrëveshjen e arritur ndërmjet këshilltarëve të VMRO-DPMNE-së dhe transportuesve privatë, Arsovska tha se vazhdimisht ka dhënë mbështetjen e saj për kërkesat e tyre.  

“Në çdo rast, vendimi nuk duhet të imponohet nga unë, duhet parë nga këshilltarët dhe të kryhet në kuadër të Këshillit. Tash e vërtetuat se shumica, gjegjësisht pushteti në Qytetin e Shkupit nga VMRO-DPMNE, nesër do të mbajë mbledhje dhe do të marrë vendim për të cilin tashmë janë marrë vesh për çmimin prej 100 denarë”, tha ajo, duke shtuar se kjo tregon kush është në pushtet në qytet, kush i merr vendimet dhe sa shpejt mund të merret një vendim nëse dëshirohet.

Sipas saj, borxhi i organeve qendrore ndaj Ndërmarrjes për Qarkullim Publik (NQP) Shkup nga janari i vitit të ardhshëm do të jetë dhjetë milionë euro dhe Këshilli duhet të diskutojë nëse do të ketë transport falas për të gjithë, jo vetëm për studentët.

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR