Trampi u ndaloi hyrjen në SHBA shtetasve të 12 vendeve
- Presidenti amerikan , Donald Tramp, ka nënshkruar një urdhër që ndalon hyrjen e shtetasve nga 12 vende, raportoi Si-Bi-Es njuz, duke cituar burime të administratës.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 08:30, 5 qershor, 2025
Uashington, 5 qershor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan , Donald Tramp, ka nënshkruar një urdhër që ndalon hyrjen e shtetasve nga 12 vende, raportoi Si-Bi-Es njuz, duke cituar burime të administratës.
Në listë gjenden shtatë vende afrikane (Çadi, Kongo, Guinea Ekuatoriale, Eritrea, Libia, Somalia, Sudani), katër vende aziatike (Afganistani, Mianmari, Irani dhe Jemeni) dhe një vend të Amerikës së Veriut (Haiti).
Përveç kësaj, hyrja do të kufizohet pjesërisht për shtetasit e shtatë vendeve të tjera: Burundi, Kuba, Laosi, Sierra Leone, Togo, Turkmenistani dhe Venezuela.
"Presidenti Trump po përmbush premtimin e tij për të mbrojtur amerikanët nga aktorët e huaj të rrezikshëm që kërkojnë të hyjnë në vendin tonë dhe t'u shkaktojnë dëm", ka shkruar në Iks zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigejl Xhekson.
Shtëpia e Bardhë tha se ndalimet kishin në shënjestër vendet që përbënin një "rrezik të lartë sigurie për SHBA-në".
Tramp bëri një veprim të ngjashëm gjatë mandatit të tij të parë, kur njoftoi një ndalim udhëtimi për udhëtarët nga shtatë vende me shumicë myslimane. Por ky vendim u rrëzua nga ish-presidenti Xho Bajdeni në vitin 2021, duke e quajtur atë një "njollë në ndërgjegjen e popullit amerikan".