• e premte, 05 dhjetor 2025

Trampi në intervistë për Si-Bi-Es: Si Xhinping i kupton pasojat e një pushtimi të mundshëm kinez të Tajvanit

Trampi në intervistë për Si-Bi-Es: Si Xhinping i kupton pasojat e një pushtimi të mundshëm kinez të Tajvanit

Uashington, 2 nëntor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan, Donald Tramp deklaroi se presidenti kinez, Si Xhinping, i kupton "pasojat" e një pushtimi të mundshëm kinez të Tajvanit, por nuk pranoi të specifikojë nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta mbrojnë kombin ishullor në rast të një sulmi.

Trampi e kumtoi këtë në një intervistë të cilën sot e transmetoi televizioni amerikan Si-Bi-Es (CBS).

"Do ta dini nëse kjo ndodh, dhe ai e kupton përgjigjen e kësaj pyetjeje", tha presidenti amerikan kur u pyet nëse SHBA-ja do të ndërhyjë në rast të një sulmi të mundshëm ushtarak nga Pekini ndaj Tajvanit, duke shtuar se lideri kinez i kupton "pasojat" e një ndërhyrjeje të tillë.

Pekini e konsideron Tajvanin territor të vetin, ndërsa Uashingtoni i ofron mbështetjen e tij më të madhe këtij vendi. 

Trampi tha se Tajvani nuk u përmend gjatë takimit të tij me Si Xhinping në Korenë e Jugut të enjten.

Presidenti amerikan në një intervistë të regjistruar të premten dhe të transmetuar sot në emisionin "60 minuta" të Si-Bi-Es, deklaroi se nuk mund të "zbulonte sekretet e tij", duke specifikuar se "pala tjetër është e informuar".

Autonomia e Tajvanit është një nga shkaqet e tensioneve midis Kinës dhe SHBA-së, ndërsa Trampi dhe Si duket se e shmangën atë gjatë takimit, duke u përqendruar në lehtësimin e luftës tregtare midis Uashingtonit dhe Pekinit. ls/

Foto: Skrinshot nga intervista

 

QËNDRONI TË LIDHUR