• e premte, 05 dhjetor 2025

Trampi: Iranianët nuk e dinin se po vijmë

Trampi: Iranianët nuk e dinin se po vijmë

Uashington, 30 qershor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp nuk beson se Irani ka arritur të mbrojë ose zhvendosë ndonjë pjesë të uraniumit të tij të pasuruar para sulmeve amerikane ndaj objektivave bërthamore.

Në një intervistë për Foks Njuz, Trampi hodhi poshtë raportet mediatike se Teherani ndoshta ka zhvendosur disa rezerva të uraniumit.

"Ata nuk zhvendosën asgjë", tha Tramp, duke vënë në dukje se SHBA nuk i kishte njoftuar sulmet, kështu që nuk kishte kohë për t'u përgatitur.

"Ata nuk e dinin se po vijmë", tha Tramp, duke shtuar se është jashtëzakonisht e vështirë, e rrezikshme dhe logjistikisht komplekse të lëvizësh uraniumin e pasuruar për shkak të peshës së tij.

Presidenti amerikan pretendon se kishte indikacione për aktivitet në objekt pak para sulmit, por nuk tha nëse ishte Fordo, megjithëse vuri në dukje se ishte një objekt "i thellë".

"Automjete dhe punëtorë ndërtimi mund të shiheshin në vendngjarje. Ata ishin njerëz që derdhnin beton. Ata po përpiqeshin të mbyllnin hyrjen nga ku me siguri do të hynte bomba", përsëriti Tramp.

Sipas një raporti të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore (ANEB), Irani zotëron më shumë se 400 kilogramë uranium të pasuruar në një pastërti prej 60 përqind, që është pothuajse e mjaftueshme për të prodhuar armë. Diplomatët thonë se mund të përdoret për të bërë disa bomba nëse materiali pasurohet më tej deri në 90 përqind.

Udhëheqsia e Iranit thotë se nuk dëshiron të ndërtojë një bombë bërthamore dhe se i duhet energjia bërthamore për qëllime civile. Por, shumë vende kanë shprehur kohët e fundit shqetësimin se Irani së shpejti mund të prodhojë armë bërthamore. sa/

foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR