• e shtunë, 10 janar 2026

Tramp paralajmëroi rritje të dyfishtë të tarifave për importet e çelikut nga 25 për qind në 50 për qind

Tramp paralajmëroi rritje të dyfishtë të tarifave për importet e çelikut nga 25 për qind në 50 për qind

Uashington, 31 maj 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp paralajmëroi mbrëmë se do të rriste tarifat për importet e çelikut nga 25 në 50 për qind, njoftoi DPA.

Duke folur në një tubim në fabrikën e çelikut "US Steel" në Pensilvaninë perëndimore pranë Pitsburgut, Tramp tha se tarifat shtesë të importit do të forcojnë industrinë amerikane të çelikut, duke shtuar se tarifat janë fjala e tij absolutisht e preferuar.

Administrata e re amerikane i justifikon tarifat ekzistuese të çelikut si një masë për të mbrojtur sigurinë kombëtare, ndërsa Trampi tashmë ka paralajmëruar, kërcënuar ose zbatuar tarifa të shumta të tjera, kujton DPA.

Përveç tarifës së re ndëshkuese prej 10 për qind të vlerës së mallrave për pothuajse të gjitha importet, ai paralajmëroi edhe tarifa specifike, më të larta për importet nga shumë vende, duke përfshirë partnerë të mëdhenj tregtarë si Kina dhe Bashkimi Evropian.

Aktualisht në SHBA ka disa padi në zhvillim e sipër në lidhje me ligjshmërinë e shumë prej tarifave të Trampit, ndërsa vendimet përfundimtare nuk janë marrë ende.

Këto tarifa shtesë për importet e çelikut nuk janë të prekura nga këto raste, njoftoi agjencia gjermane.

Shumë partnerë tregtarë që Trampi i goditi me tarifat e reja, përfshirë Bashkimin Evropian, tashmë po negociojnë marrëveshje të reja tregtare me administratën e tij për të shmangur tarifat.

Pasi bisedës me kryetaren e Komisionit Evropian Ursula fon der Lajen të hënën, Trampi i pezulloi kërcënimet shtesë për tarifa prej 50 për qind pët importet nga BE-ja deri më 9 korrik për të mundësuar më shumë kohë për negociata. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

QËNDRONI TË LIDHUR