Tramp: Nuk planifikoj ta vazhdoj ndërprerjen 90-të ditore për vendosjen e tarifave
- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se nuk planifikon të zgjasë ndërprerjen 90-ditore të tarifave për shumicën e vendeve pas afatit të 9 korrikut për negociata dhe se administrata e tij do t'i njoftojë vendet se sanksionet tregtare do të hyjnë në fuqi nëse nuk arrihet një marrëveshje.
- Post By Sara Ademi
- 10:03, 30 qershor, 2025
Uashington, 30 qershor 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha se nuk planifikon të zgjasë ndërprerjen 90-ditore të tarifave për shumicën e vendeve pas afatit të 9 korrikut për negociata dhe se administrata e tij do t'i njoftojë vendet se sanksionet tregtare do të hyjnë në fuqi nëse nuk arrihet një marrëveshje.
Tramp tha në një intervistë për "Foks Njuz" dje se njoftimet për tarifa do të fillojnë t'u dërgohen vendeve me të cilat nuk është arritur asnjë marrëveshje "shumë shpejt", ndërsa afrohet afati i fundit për negociata.
"Do të shohim se si do të na trajtojë vendi, nëse do të na trajtojë mirë apo jo aq mirë. Nuk jemi të interesuar për disa vende, thjesht do të dërgojmë shumë letra", tha Tramp.
Në letra, tha Tramp, do të shkruajë: "Urime, po ju lejojmë të blini në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të paguani tarifa prej 25 përqind, ose 35 përqind, ose 50 përqind, ose 10 përqind".
Trampi shtoi se negociatat për tarifat do të vazhdojnë, por se "ka 200 vende" dhe se "nuk mund të flasësh me të gjithë".
Duke folur për marrëdhënien me Kinën, Tramp vlerësoi marrëveshjen e fundit tregtare të arritur me Pekinin mbi eksportet e metaleve të rralla nga Kina dhe tha se vendosja e një marrëdhënieje më të barabartë midis dy vendeve do të kërkonte tarifa të konsiderueshme.
"Mendoj se një marrëveshje e mirë me Kinën është një gjë shumë e mirë. Kina do të paguajë shumë tarifa, por ne kemi një deficit të madh (tregtar), ata e kuptojnë këtë", tha Tramp.
Ai shtoi se do të ishte i hapur për heqjen e sanksioneve mbi dërgesat iraniane të naftës në Kinë nëse Irani tregonte "se mund të jetë paqësor" dhe nëse e bënte këtë, SHBA "nuk do të shkaktonte më shumë dëme".
Trampi tregoi gjithashtu se SHBA nuk ka frikë nga hakmarrja nga Pekini dhe komentit të prezantuesit të "Foks Njuz" se Kina është përpjekur të hakojë sistemet amerikane dhe të vjedhë pronën intelektuale, Tramp u përgjigj: "A nuk mendoni se po ua bëjmë këtë atyre?"
Presidenti amerikan përsëriti se SHBA kishte "shkatërruar" objektet bërthamore iraniane në sulmet ajrore dhe shtoi se kushdo që ishte i përfshirë në rrjedhjen e një vlerësimi paraprak të inteligjencës për atë veprim në media, i cili sugjeronte se programi bërthamor i Teheranit ishte penguar vetëm disa muaj më parë, duhet të ndiqet.
Trampi tha se Irani ishte "disa javë larg" nga përvetësimi i një arme bërthamore përpara se ai të urdhëronte sulme ajrore.
"Ishte fshirë si askush nuk e kishte parë më parë. Dhe kjo nënkuptonte fundin e ambicieve të tyre bërthamore, të paktën për momentin", tha Tramp.
Udhëheqësi suprem i Iranit, ajatollah Ali Hamnei, tha sot në një postim në platformën "X" se Tramp po "ekzagjeron" kur flet për programin bërthamor të Iranit, "për të mbuluar dhe fshehur të vërtetën". sa/
foto: EPA