Tramp në intervistën për Foks Njuz pas takimit me Putinin: Jemi shumë afër një marrëveshjeje për Ukrainën
- Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha mbrëmë se një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë mund të arrihet pas samitit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaska, raportoi DPA.
- Post By Sara Ademi
- 09:54, 16 gusht, 2025
Enkorixh, 16 gusht 2025 (MIA) - Presidenti i SHBA-së, Donald Tramp, tha mbrëmë se një marrëveshje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë mund të arrihet pas samitit të tij me presidentin rus, Vladimir Putin, në Alaska, raportoi DPA.
"Mendoj se jemi shumë afër një marrëveshjeje. Tani shikoni, Ukraina duhet të bie dakord me të", tha Tramp në një intervistë për Foks Njuz pas takimit. "Ukraina duhet të bie dakord. Dua të them, e dini, presidenti Zelenski duhet të bie dakord", shtoi ai.
Fillimisht nuk ishte e qartë nëse Trampi e kishte informuar Zelenskin për rezultatet e bisedimeve në kohën e intervistës, raporton agjencia gjermane.
Kur u pyet se çfarë këshille do t’i jepte Zelenskit pas samitit në Alaskë, ai u përgjigj: "Bëni një marrëveshje".
Presidenti amerikan e përshkroi Rusinë si një "fuqi shumë të madhe", por Ukraina nuk është e tillë.
Për atë se sa afër mund të jetë me marrëveshjen, Trampi tha: "Gjithmonë them, nëse jam vërtet afër, them 50:50, sepse shumë gjëra mund të ndodhin. Por mendoj se presidenti Putin do të donte ta zgjidhte problemin".
Presidenti amerikan përsëriti disa vlerësime që bëri gjatë një paraqitjeje të shkurtër të përbashkët me Putinin pas samitit gati tre orësh. Në atë paraqitje, Trampi tha se të dy udhëheqësit ranë dakord për shumë pika, por ende nuk kishin arritur një qëllim të përbashkët.
Gazetarëve nuk iu lejua të bënin pyetje në konferencën për shtyp dhe nuk u publikuan detaje të diskutimeve apo ndonjë dokument i shkruar, raporton DPA. sa/
foto: EPA