Tramp: Do të takohesha me Kim Xhong Un nëse ai dëshiron, mund të zgjas turneun
- Presidenti amerikan Donald Tramp, sot deklaroi se do të donte të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Xhong Un nëse ai dëshiron dhe nuk e përjashtoi mundësinë për të vazhduar turneun e tij aktual në Azi.
- Post By Qefsere Abduli
- 11:02, 27 tetor, 2025
Uashington, 27 tetor 2025 (MIA) - Presidenti amerikan Donald Tramp, sot deklaroi se do të donte të takohet me liderin e Koresë së Veriut, Kim Xhong Un nëse ai dëshiron dhe nuk e përjashtoi mundësinë për të vazhduar turneun e tij aktual në Azi.
"Nuk kam caktuar asgjë, por do të doja të takohem me të, nëse ai dëshiron. Kam pasur një marrëdhënie të shkëlqyer me Kim Xhong Un, më ka pëlqyer - nëse ai dëshiron të takohet, do të jem në Korenë e Jugut", deklaroi Trampi para gazetarëve në "Er Fors Uan" në rrugën për në Tokio nga Kuala Lumpur, raportoi Si-En-En.
Trampi do ta vizitojë Korenë e Jugut më vonë këtë javë, ku do t’i bashkohet Samitit të Drejtorëve Ekzekutivë të Bashkëpunimit Ekonomik Aziatiko-Paqësor (APEK).
Në pyetjen nëse do të merrte në konsideratë vazhdimin e udhëtimit për të mundësuar një takim të mundshëm me Kimin, Trampi theksoi se është i hapur për këtë.
Trampi disa herë ka shprehur dëshirën për t’u takuar përsëri me Kimin, duke thënë se është "i hapur" për bisedime me të dhe duke e përshkruar Korenë e Veriut si "një lloj fuqie bërthamore" në fillim të udhëtimit të tij aktual drejt Azisë.
Ministri i Jashtëm i Koresë së Veriut, Çoe Son Hui, e ka lëshuar Phenianin të dielën për të vizituar Bjellorusinë dhe Rusinë, duke hedhur dyshime mbi mundësinë e një takimi midis Kimit dhe Trampit.
Në një bisedë me korrespondentët e huaj në Seul sot, zëvendës-këshilltari i tretë për siguri kombëtare i Koresë së Jugut, O Hjun-xho, tha se një takim midis Trampit dhe Kimit gjatë takimeve të APEK këtë javë ka “gjasa të vogla”. qa/
Foto: EPA