• e hënë, 23 dhjetor 2024

Trajanov me tre kërkesa për Fon der Lajen propozon shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme

Trajanov me tre kërkesa për Fon der Lajen propozon shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme

Shkup, 20 gusht 2023 (MIA) - Nuk ka konsensus civil dhe politik për ndryshimet kushtetuese, sepse ato janë rezultat i kërkesave joparimore bullgare dhe jashtë kritereve të Kopenhagës, tha sot në një konferencë për media deputeti Pavle Trajanov, kryetar i Lidhjes Demokratike. Ai propozoi shpërndarjen e Kuvendit dhe zgjedhje të parakohshme sepse siç tha ai "është më se e qartë se nuk ka mbështetje të mjaftueshme për ndryshimet kushtetuese".

Duke theksuar se Lidhja Demokratike është e vendosur që ky vend të jetë anëtar i plotë i Bashkimit Evropian, Trajanov bëri të ditur se i ka dërguar një kërkesë BE-së dhe kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, që Këshilli i Bashkimi Evropian të marrë vendim me të cilin obligohet Bullgaria që t'i zbatojë vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të lejuar regjistrimin e shoqatave të maqedonasve në Bullgari për të ruajtur identitetin, gjuhën, veçoritë kulturore të tyre e të tjera, me çka do të sigurohet reciprocitet.

"E dyta, Këshilli i Bashkimit Evropian duhet t'i lërë çështjet bilaterale jashtë kornizës së negociatave, ose së paku të marrë një vendim që do të japë garanci se çështjet bilaterale nuk mund të jenë bazë për bllokimin e Maqedonisë në rrugën drejt BE-së. Dhe e treta, Këshilli i BE-së duhet të marrë vendim që gjuha maqedonase të jetë gjuhë zyrtare pas anëtarësimit të Maqedonisë në BE. Pres që të gjitha partitë politike, presidenti Stevo Pendarovski dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë të qëndrojnë prapa këtyre tri kërkesave kryesore", tha Trajanov.

Lidhur me ndryshimet kushtetuese të propozuara nga Qeveria, lideri i Lidhjes Demokratike theksoi se Qeveria e ka pranuar Kornizën Negociuese "pa analizë eksperte, konsensus më të gjerë civil dhe politik dhe një kornizë që përfshin çështje dypalëshe të imponuara nga Bullgaria, çështje që hapin  dilema historike, arsimore, gjuhësore, kulturore dhe identitare, të cilat në thelb mohojnë vazhdimësinë historike të popullit maqedonas dhe autenticitetin e gjuhës maqedonase".

"Përmes Komisionit për Çështje Historike dhe Arsimore dhe protokolleve vjetore, të cilat janë pjesë përbërëse e Kornizës negociuese, kontestohet karakteri maqedonas i ngjarjeve historike, revolucionarët maqedonas, madje edhe kryepeshkopata e Ohrit. Në thelb, popullit maqedonas po i "prehen" rrënjët, gjë që vë në pikëpyetje të ardhmen dhe prosperitetin e tij", tha Trajanov.

Sipas tij, Kovaçevski, Osmani dhe Mariçiq, si dhe BDI dhe LSDM, "bëjnë një manipulim të madh se BE-ja gjoja e njeh gjuhën maqedonase".

"Por e vërteta është se në asnjë dokument nuk thuhet se pas anëtarësimit të Maqedonisë në BE, gjuha maqedonase do të jetë gjuhë zyrtare, zyrtare në BE. Në konkluzionet e Këshillit të BE-së thuhet vetëm se përkthimi i materialeve (direktiva, vendime, etj.) do të bëhen në gjuhën maqedonase, por edhe se Bullgaria dhe Maqedonia kanë të drejtë të bëjnë deklaratat e tyre të njëanshme për gjuhën të cilat janë pjesë përbërëse e pakos së dokumenteve dhe vendimeve të BE-së lidhur me proceset eurointegruese të Maqedonisë", shtoi Trajanov në konferencën për media.

Për shkak të mbështetjes së pamjaftueshme për ndryshimet kushtetuese, ai propozoi shpërndarjen e Parlamentit dhe zgjedhje të parakohshme, të cilat, tha ai, "janë në interesin tonë kombëtar dhe strategjik".

"Dua të dërgoj një mesazh të qartë dhe thirrje për LSDM-në dhe BDI-në: Nëse jeni për stabilitet, për Maqedoni moderne dhe evropiane, ju që i keni rrezikuar interesat kombëtare dhe integrimet evropiane të Maqedonisë", shkoni në zgjedhje, tha Trajanov. sa/

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR