• e hënë, 23 dhjetor 2024

Trajçuleski: Kryeshefi i MPB-së dhe udhëheqësi i Komunës së Çairit e kanë dërguar Ramadanin në Kosovë, kërkojmë hetim urgjent nga PTHP-ja

Trajçuleski: Kryeshefi i MPB-së dhe udhëheqësi i Komunës së Çairit e kanë dërguar Ramadanin në Kosovë, kërkojmë hetim urgjent nga PTHP-ja

Shkup, 23 gusht 2024 (MIA) - LSDM dhe sot kërkoi përgjegjësi nga MPB-ja dhe ministri Pançe Toshkovski për arratisjen e ish pjesëtarit të UÇK-së Blerim Ramadani nga arresti shtëpiak duke pretenduar se punonjësit e policisë e kanë ndihmuar atë të arratiset gjegjësisht është bërë e mundur një "skemë e organizuar partiako-policore".

Deputeti i LSDM-së Mitko Trajçuleski sot në një konferencë për media kumtoi se kanë dëshmi nga "informatorët" se Ramadani e ka lëshuar vendin dhe ka shkuar në Kosovë – me 10 gusht me Naim Ramukën, kryeshefin e kufirit verior me Kosovën, ndërsa me 14 gusht, kur dhe u arratis nga vendi, është transportuar nga një punonjës i komunës së Çairit me urdhër të Ramukës. Dhe në të dyja rastet kufirin e Bllacës e kanë kaluar nëpër korsinë e mallrave pa asnjë kontroll.

Trajçuleski kërkoi nga Prokuroria Themelore Publike (PTHP) hetim urgjent të rastit, të deklasifikohen incizimet e kamerave në VK Bllacë në mënyrë që i gjithë opinioni të shohë se ajo që pretendojnë është e vërtetë, si dhe dorëheqje të parevokueshme nga Toshkovski dhe të gjithë personat për të cilët kanë informacione se janë të përfshirë në organizimin e arratisjes së Ramadanit.

Siç tha ai, për transportin e Ramadanit në Kosovë me 10 gusht, kur ai duhej të ishte në arrest shtëpiak, sipas informacioneve të LSDM-së është angazhuar Ramuka.

"Personi që është emëruar së fundi në këtë pozitë nga Toshkovski. Në bazë të informacioneve, Naim Ramuka me automjetin 'reno' e ka marrë Blerim Ramadanin nga vendbanimi ku ai ishte në arrest shtëpiak. Prej atje janë nisur drejt kufirit me Kosovën afër Bllacës dhe në orën 18:40 në korsinë e mallrave kanë kaluar kufirin pa asnjë kontroll. Naim Ramuka, për rikujtim, është i njëjti kryeshef i Toshkovskit që i lëshoi të kalojnë pa i kontrolluar Gashin dhe miqtë e tij pa asnjë kontroll në të njëjtin kufi. Pastaj, në mbrëmjen e 10 gushtit, në të njëjtën mënyrë, pa kontroll Ramuka dhe Ramadani e kalojnë kufirin për në Maqedoni dhe Ramadani kthehet në vendbanimin ku është dashur të jetë në arrest shtëpiak", tha Trajçuleski. rq/

Foto: MIA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR