• e hënë, 23 dhjetor 2024

Trajçevski: ASHMAA ka ngritur padi kundër MSHIA-së për shkeljen e Ligjit për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele

Trajçevski: ASHMAA ka ngritur padi kundër MSHIA-së për shkeljen e Ligjit për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele

Shkup, 15 janar 2024 (MIA) - Agjencia për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele ka ngritur padi kundër Ministrisë së Shoqërisë Informatike dhe Administratës, sepse një periudhë të gjatë kohore e shkel Ligjin për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele dhe Agjencisë dhe shfrytëzuesve të tjerë u transferon më pak mjete nga ato sa janë paraparë me ligj, deklaroi drejtori i Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, Zoran Trajçevski. 

Me ndryshimet ligjore nga korriku i vitit të kaluar, siç sqaroi Trajçevski u përcaktua saktë vlera e mjeteve të cilat ndahen nga Buxheti i shtetit pët financimin e veprimtarisë radiodifuzive - një për qind e të ardhurave tatimore të realizuara të përcaktuara në xhirollogarinë përfundimtare të fundit të miratuar të Buxhetit dhe u shfuqizua e drejta e diskrecionit të Ministrisë që këto përqindje të mos realizohen nëse me këtë dëmtohet shpërndarja e drejtë e mjeteve të buxhetit. 

"Paradoksale është që propozues i këtij ligji është pikërisht MSHIA, kundër të cilës tani ngrisim padi", deklaroi Trajçevski.

Duke mos respektuar ligjin, Trajçevski theksoi se mediave, organizatave dhe shoqatave në Maqedoninë e Veriut do t'u mohohet e drejta për qasje në mjete nga programi "Evropa krijuese 2021-2027" me buxhet të përgjithshëm prej 2,5 miliardë euro, nga të cilat 51 për qind janë të destinuara për segmentin mediatik.

"ASHMAA iu drejtua dy herë MSHIA-së, duke vënë në pah obligimet e saj ligjore, ndërsa ne iu drejtuam kryetarit të Kuvendit dhe komisioneve kompetente. Duke pasur parasysh që të gjitha mundësitë tjera janë shterur, kemi ngritur padi në gjykatën kompetente", deklaroi Trajçevski.

Kjo situatë, siç sqaroi Trajçevski, nuk është vetëm në muajt e fundit, por zgjat disa vite, sepse ministria edhe para ndryshimeve ligjore e ka shfrytëzuar të drejtën e diskrecionit të mundësuar në ligjin nga viti 2018 dhe ka transferuar më pak mjete. 

"Për gjashtë muajt e fundit agjencia ka marrë 4 milionë e 812 mijë denarë më pak. Ulja është veçanërisht e shprehur këtë muaj, kur kemi marrë 1 milion e 126 mijë denarë më pak", deklaroi Trajçevski. fc/

Fotografia: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR