• e hënë, 23 dhjetor 2024

Toshkovski për arratisjen e Ramadanit: LSDM të ndalojë me akuza të kota, MPB veproi në pajtim me ligjin dhe në mënyrë profesionale

Toshkovski për arratisjen e Ramadanit: LSDM të ndalojë me akuza të kota, MPB veproi në pajtim me ligjin dhe në mënyrë profesionale

Shkup, 15 gusht 2024 (MIA) - Ministri i Punëve të Brendshme, në profilin e tij zyrtar në Fejsbuk i vlerësoi si tentim për marrje të pikëve të pakëta politike dhe manipulim me opinionin të LSDM-së opozitare në llogari të tij për ikjen e Blerim Ramadanit, duke cekur se MPB në këtë rast bëri gjithçka sipas ligjit dhe veproi maksimalisht në mënyrë profesionale.

"LSDM edhe njëherë tregoi se në vend se të fokusohet në problemet e vërteta dhe të ofrojë kritika konstruktive, zgjodhi vetëm të akuzojë, vetëm për të akuzuar. Në rastin e ikjes së Blerim Ramadanit, pyetja e vërtetë duhet të jetë përse gjykata vendosi ta lë personin në arrest shtëpiak në vend se në paraburgim efektiv. Njoh juristë të shkolluar edhe në LSDM të cilët e kuptojnë ndarjen e pushtetit dhe e dinë se MPB dhe gjykata janë institucione të ndryshme, por është për keqardhje që kryesia e LSDM-së dhe shërbimi i tyre PR i injorojnë këto fakte dhe akuzojnë për të fituar pikë të imëta politike", shkruan Toshkovski në statusin në Fejsbuk.

Sipas tij, me akuzat e këtilla të zbrazëta, LSDM vetëm pranon se pushteti i tyre i dikurshëm e ka lënë shtetin tërësisht të shkatërruar, por t'i hidhet faji për gjithçka qeverisë së re, thotë ai, është manipulim me opinionin.

"MPB në këtë rast veproi në pajtim me ligjin dhe maksimalisht në mënyrë profesionale. Personi iu dorëzua gjykatës me kërkesë të Interpolit, që është në pajtim me rregullat pozitive ligjore. LSDM të ndalojë me akuza të zbrazëta, ndërsa ne edhe më tej do të jemi të fokusuar në zgjidhje të vërteta për përmirësim të gjendjeve në shtet. Zgjehdjet e 8 majit ishin porosi e qartë nga populli - LSDM përjetoi rezultatin më të keq historik. Në vend se ta kuptojnë porosinë dhe t'u përkushtohen çështjeve të vërteta, ata vazhdojnë me taktikat e njejta të vjetra. Është koha të përballen me realitetin dhe të kuptojnë se populli nuk harron se kush e la shtetin në këtë gjendje", thekson ministri Toshkovski.

Ish-pjesëtari i UÇK-së, Blerim Ramadani nga Kosova, i cili u arrestua muajin e kaluar në kufirin Kosovë-Maqedoni me urdhër të Interpolit të lëshuar me kërkesë të Serbisë, është arratisur nga arresti shtëpiak në shtëpinë e të afërmve në vend.

"Nga ana e organit kompetent gjyqësor është parashtruar dokumentacioni në MPB për shpallje të fletë-arrestit qendror për personin B.R. sepse për momentin është i pakapshëm për organet e ndjekjes. MPB po ndërmerr masa për gjetjen e personit", konfirmuan për MIA-n nga MPB.

Ramadani, në bazë të fletarrestit ndërkombëtar të Interpolit nga Serbia, më 17 korrik 2024 u arrestua në pikën kufitare të Jazhincë dhe u dërgua në burgun e Shutkës për 30 ditë paraburgim ekstradues. Gjykata kompetente maqedonase më 1 gusht ia ka ndryshuar dënimin Ramadanit nga "paraburgim" në "arrest shtëpiak" dhe sipas vendimit ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte parashikuar që ai të qëndronte në "arrest shtëpiak" deri më 16 gusht.

Përmbajtja e urdhër-arrestit për Ramadanin bazohet në dyshimet e Serbisë se si ish-ushtar i UÇK-së, ka kryer krime lufte në rajonin e Nerodimes. ab/

Foto: МIА arkivi

QËNDRONI TË LIDHUR