• e hënë, 23 dhjetor 2024

Toshkovski: Nëse ka sfida që për qëllim kanë destabilizimin, do të përgjigjemi ashpër

Toshkovski: Nëse ka sfida që për qëllim kanë destabilizimin, do të përgjigjemi ashpër

Shkup, 30 shtator 2024 (MIA) - Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) është e gatshme t'u përgjigjet të gjitha sfidave në të ardhmen. Sfidat të cilat kanë për qëllim destabilizimin e Maqedonisë, nëse në realitet ka si të tilla, do t'u përgjigjemi ashpër, deklaroi numri një i policisë, Pançe Toshkovski.

Në deklaratën për media pas hapjes së Qendrës rajonale K9 në Qendrën policore Gjorçe Petrov, Toshkovski potencoi se shërbimet janë duke përcjellë informacionin e duhur tek autoritetet.

"Shërbimet në kuadër të formave institucionale të cilat kemi pasur në vend, ndërsa merren me këtë lloj komponente, kanë përcjellë dhe vazhdojnë t'i përcjellin informatat e duhura organeve kompetente drejtuese në kuadër të tyre. Ato u ndanë përkatësisht edhe me kryeministrin dhe me presidenten. Kështu që, gjithçka që kemi thënë në të kaluarën, sa i përket përpjekjeve, siç i kemi parë këto muaj, për të nxitur tensione ndëretnike, ne iu përgjigjëm konform rrethanave dhe do t'u përgjigjemi në mënyrë adekuate edhe në të ardhmen. Kur them se po reagojmë siç duhet, po them se MPB-ja ka kapacitetet e duhura për t'u përgjigjur në atë mënyrë që të gjithë qytetarët të ndihen të sigurt dhe të qetë dhe në kuadër të këtij sistemi të sigurt dhe paqësor për të ushtruar të drejtat e tyre", tha ministri.

Ai shtoi se MPB-ja në periudhën e kaluar ka hapur një numër të madh hetimesh.

"Duhet kohë në kuadër të një procedure ligjore, duke respektuar të gjitha rregullat dhe parimet e sjelljes ligjore nga kushdo që është i përfshirë në këto procedura para-hetimore, hetimore që kemi ndërmarrë dhe do të ndërmarrim në të ardhmen. Por, rezultate do të ketë. Aty ku kemi prova se është shkelur ligji dhe kemi prova se populli është vjedhur, do të përgjigjemi në mënyrë adekuate edhe me procedura penale", potencoi ai.

I pyetur për sulmin ndaj kryetarit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamed Sejdini, që ndodhi të premten, ai është përgjigjur se është vepruar dhe po ndërmerren masa.

"MPB-ja ka marrë masa në lidhje me rastin në fjalë që ju përmendët. MPB-ja ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme. Menjëherë pas raportimit janë ndërmarrë masa për ngjarjen konkrete dhe po veprohet. Nuk mund t'i përgjigjem ende pyetjes suaj", tha ministri.

Toshkovski informoi se në kuadër të MPB-së në periudhën e kaluar dhe në të ardhmen do të ndiqen një numër i madh i procedurave në bazë të të cilave do të duhet të zgjidhet kuadri i duhur drejtues.

"Si në ato pozicione ku aktualisht nuk i kemi, ashtu edhe në ato pozicione jo menaxhuese, ndërsa ka nevojë të punësohen nëpunës policorë si nga vetë ministria ashtu edhe nga jashtë. Secili veprim do të ndahet në mënyrë transparente me publikun në lidhje me të gjitha veprimet që ndërmarrim. Secili që në kuadër të MPB-së i cili plotëson kushtet e duhura ligjore do të mund të aplikojë për pozitën në fjalë për të cilën janë të interesuar dhe një komision përkatës brenda ministrisë do të vendosë se kush është në lojë dhe kush nuk është në lojë", tha ai. rq/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR