• e premte, 05 dhjetor 2025

Toshkovski: MPB-ja do të përdorë kapacitetet e saj në parandalim dhe do të alarmojë në mënyrë të duhur të gjitha institucionet e lidhura me krimin mjedisor

Toshkovski: MPB-ja do të përdorë kapacitetet e saj në parandalim dhe do të alarmojë në mënyrë të duhur të gjitha institucionet e lidhura me krimin mjedisor

Shkup, 15 shtator 2025 (MIA) - Ministria e Punëve të Brendshme do t'i përdorë kapacitetet e saj maksimale në fushën e parandalimit, vëzhgimit dhe alarmimit të të gjitha institucioneve të tjera lidhur me krimin mjedisor, deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i pyetur se çfarë veprimesh po ndërmerren për të parandaluar zjarrëvëniet e mundshme, nëse ekzistojnë informacione se bëhet fjalë për ndonjë sulm. 

Kjo në praktikë, siç tha Toshkovski, do të thotë se do të përfshihen jo vetëm kapacitetet e MPB-së, por edhe kapacitetet e Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe do të intensifikohen në maksimum sistemet e vëzhgimit që i zotëron MPB-ja - jo vetëm të SPB Shkup, por edhe të Njësisë për Krim të Organizuar, Policisë kufitare dhe kapacitetet e njësive të tjera organizative. 

"Jemi fokusuar në vëzhgimin e këtij problemi, në marrjen e hapave konkrete për zbardhjen e asaj që ndodhi, por edhe për të vepruar në mënyrë parandaluese ndaj të gjitha pikave të tjera të rrezikshme që i kemi identifikuar. Për fat të keq, nuk mund të flas në detaje, por gjithçka që duhet të bëjmë, po e bëjmë", deklaroi Toshkovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas shkatërrimit publik të lëndëve narkotike dhe armëve të sekuestruara në ambientet e fabrikës "Makstil".

Në kuadër të ndërmarrjes së veprimeve operative brenda kompetencave të MPB-së, Toshkovski informoi se në suazat e aksionit operativ "Zjarri", gjatë kësaj jave ka dhënë tashmë udhëzime të qarta që të konkretizohen maksimalisht të gjitha vatrat e mundshme të lidhura me krimin mjedisor, 

Në kuadër të aksionit operativ "Zjarri", e cila është hapur në fillim të verës, Toshkovski theksoi se deri tani janë privuar nga liria mbi 40 persona dhe kundër 30-të të tjerëve janë paraqitur kallëzime penale. 

Sa i përket zjarrit në Trubarevë, Toshkosi tha se bëhet fjalë për një zjarr me përmasa të mëdha dhe sipas informatave nga ekspertët e fornezikës, inspektimi në vendin e zjarrit mund të kryhet së shpejti pas 24 orësh, ndërsa rekomandohet të bëhet pas 48 orësh nga fikja e plotë e zjarrit. 

I pyetur nëse do të thirret Këshilli për Siguri, Toshkovski tha se do ta lërë të vendosë atë që është kompetent. qa/ 

Foto: Arkivi i MIA-s

 

QËNDRONI TË LIDHUR