• e premte, 06 qershor 2025
Shqip
  • English
  • Shqip
  • Македонски

Toshkovski: Hapim një kapitull të ri të lidhjes, transport më të shpejtë, më shumë tregti, turizëm dhe miqësi mes dy shteteve tona

Toshkovski: Hapim një kapitull të ri të lidhjes, transport më të shpejtë, më shumë tregti, turizëm dhe miqësi mes dy shteteve tona

Shkup, 12 prill 2025 (MIA) - Me përurimin e Sistemit për kontroll të përbashkët kufitar të udhëtarëve dhe mallrave me një ndalesë (One Stop Shop) në vendkalimin kufitar Bllacë - Hani i Elezit me Kosovën, kalojmë në fazë të re të marrëdhënieve mes dy shteteve tona, tha sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.

Me këtë projekt, tha, hapim kapitull të ri të lidhjes, transport më të shpejtë, më shumë tregti, turizëm dhe miqësi mes dy shteteve tona.

Ai theksoi se falë përkushtimit të dy qeverive, ministrive të Punëve të Brendshme dhe të shërbimeve kufitare, për më pak se një vit me ndërtimin e infrastrukturës fizike dhe digjitale është marrë një sistem funksional që mundëson vetëm një ndalesë dhe një kontroll të pasaportave.

"Ky është rezultat i Marrëveshjes mes dy qeverive dhe Protokollit që e rregullon mënyrën e kontrolleve kufitare dhe doganore, infrastrukturën, këmbimin e të dhënave dhe ndarjen e harxhimeve. Qëllimi është i qartë - kalim më të shpejtë, më të thjeshtë dhe më të sigurtë të kufirit", tha Toshkovski pas përurimit të Sistemit për kontroll të përbashkët kufitar të udhëtarëve dhe mallrave me një ndalesë.

Kjo, siç tha, për udhëtarët do të thotë një kontroll në vend të dy, pritje më të shkurtë dhe përvojë më të mirë, ndërsa për shërbimet - punë më efikase, koordinim më të mirë dhe luftë më të fuqishme kundër aktiviteteve joligjore.

Kolegu i tij nga Kosova, Xhelal Sveçla potencoi se përurimi i sotëm i Sistemit për kontroll të përbashkët kufitar të udhëtarëve dhe mallrave me një ndalesë paraqet hap të rëndësishëm të bashkëpunimit mes dy shteteve me rezultat konkret, i cili kontribuon për lehtësimin e lëvizjes ndërkombëtare dhe afrimit të qytetarëve nga të dy vendet.

"Sot kurorëzojmë një projekt të institucioneve tona të punëve të brendshme, me të cilin lehtësohet kontrolli i këtij kalimi kufitar dhe kalimit kufitar Glloboçicë. Ky padyshim është një reflektim i aspiratave tona të përbashkëta për kufij të hapur, por edhe të sigurt. Formati i një kalimi kufitar me vetëm një ndalesë tashmë është zbatuar me sukses me Republikën e Shqipërisë, ndërsa jam i bindur se do të jetë i suksesshëm edhe me Republikën e Maqedonisë së Veriut", tha Sveçla në ceremoninë, ku morën pjesë kryeministrat Hristijan Mickoski dhe Albin Kurti.

Si vende aleate, shtoi ai, ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë për të garantuar sigurinë në mënyrë që vendet tona të mos jenë në asnjë mënyrë zonë e sigurt për zhvillimin e aktiviteteve të paligjshme.

Vendkalimi kufitar Bllacë është një nga më të ngarkuarit në vend dhe e shfrytëzojnë mbi 4,3 milionë udhëtarë në vit. Ai është i rëndësishëm për qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës, por edhe për transitin ndërkombëtar të njerëzve dhe mallrave. bsh/

Foto: Printskrin

QËNDRONI TË LIDHUR