Toksikologë me përvojë do të bëjnë ekzaminime para se të lëshohen në trajtim shtëpiak të lënduarit në Koçan
- Të lënduarit nga zjarri në Koçan të cilët mjekohen në vend do t'u nënshtrohen analizave toksikologjike para se të lirohen për trajtim shtëpiak.
- Post By Fami Bajrami
- 11:45, 20 mars, 2025

Shkup, 20 mars 2025 (MIA) - Të lënduarit nga zjarri në Koçan të cilët mjekohen në vend do t'u nënshtrohen analizave toksikologjike para se të lirohen për trajtim shtëpiak.
Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari sot në deklaratë për media tha se analizat do të bëhen nga toksikologë me përvojë.
"Kjo është vendosur nga Shtabi i krizave për të gjithë pacientët që do të dalin nga spitali. Prandaj dhe sot nuk nxituam t'i lëshojmë, kishim disa pacientë të cilët duhej të lëshohen. Do të vijnë toksikologë me përvojë, do të bëjnë ekzaminime dhe të sigurohemi që t'i lëshojmë më pas për mjekim shtëpiak", theksoi Taravari.
Ai tha se gjithë 173 pacientët të cilët mjekohen brenda dhe jashtë vendit, janë në gjendje të mirë. Shtatëdhjetë e dy janë trajtuar në vend, ndërsa 101 jashtë tij. Në gjendje të mirë janë dhe dy pacientët e transportuar në Suedi.
Pasdite, rreth orës 16, siç ka paralajmëruar Taravari, në ueb faqen e Ministrisë së Shëndetësisë do të publikohen emrat e të gjitha spitaleve ku po trajtohen të lënduarit. rq/
Foto dhe video: MIA