• e diel, 22 dhjetor 2024

Tetë vjet nga përmbytjet në rajonin e Shkupit ku humbën jetën 22 persona

Tetë vjet nga përmbytjet në rajonin e Shkupit ku humbën jetën 22 persona

Shkup, 6 gusht 2024 (MIA) - Shkupi sot shënon tetë vjet nga stuhia që shkaktoi përmbytje, ku jetën e humbën 22 persona, ndërsa dëmet materiale ishin të mëdha. Pasditen e 6 gushtit të vitit 2016 rajoni i Shkupit u godit nga reshje të dendura shiu dhe erëra të fuqishme. Viktimat nga moti i ligë kanë qenë në zonat e fshatrave Hasanbeg, Stajkovc, Smillkovc dhe Haraçinë.

Kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boban Stefkovski sot në profilin e tij në Fejsbuk ka shkruar – “Kurrë të mos përsëritet!” Nuk duhet harruar kurrë!”.

"Sot mbushen tetë vjet nga përmbytjet katastrofale që prekën komunën e Gazi Babës. Njëzet e dy bashkëqytetarë tanë humbën jetën dhe dhimbja e tyre do të zgjasë përjetë. Dëmet materiale ishin të mëdha.

Shtëpitë e banorëve të Stajkovcit, Hasanbegut dhe vendbanimeve përreth u shkatërruan plotësisht. Sasia e madhe e ujit mori gjithçka për një çast. Kur gjithçka u shkatërrua u pa drita në fund të tunelit. Shumë komuna dhe qytete nga Maqedonia, shumë vende të botës, mijëra qytetarë dëshmuan solidaritetin dhe humanizmin e tyre ndaj komunës sonë, shtëpisë sonë", ka shkruar Stefkovski.

Ai shprehu mirënjohje për të gjithë ata që kontribuuan në përballjen me pasojat e përmbytjeve.

"Të dashur qytetarë, viktimat nga përmbytjet si dhe solidariteti dhe humanizmi i mijëra njerëzve që ndihmuan në përballjen me pasojat e saj nuk duhet ta harrojmë kurrë. Gazi Baba e kujton këtë! Të mos përsëritet më kurrë! Të mos harrohet kurrë!, ka shkruar Stefkovski në Fejsbuk.

Gjatë 24 orëve të datës 6 gusht 2016 në Shkup kanë rënë 92,9 litra për metër katror, ndërsa gjatë dy orëve të para nga fillimi i motit të ligë ka pasur më shumë se 800 vetëtima.

Stuhia dhe uji i rrëmbyeshëm shkaktuan rënien e drunjve, ndërsa shtëpitë mbetën pa energji elektrike. Rreth një mijë qytetarë u evakuuan gjatë natës së 6 gushtit.

Qytetarë nga mbarë vendi të koordinuar nga Kryqi i Kuq, Shtabi i krizave dhe institucionet kompetente në ditët në vijim janë solidarizuar për të mbledhur ndihmat e nevojshme për të pësuarit. Dita e 8 gushtit 2016 është shpallur ditë zie në Republikën e Maqedonisë.

Drejtoria për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) në raportin e saj informoi se në Zajçev rid – stacionin kryesor meteorologjik në Shkup, është vërejt intensitet rekord për reshjet pesorëshe prej 84,5 milimetra.

"Një fenomen unik meteorologjik që zgjati për disa orë me rigjenerim të vazhdueshëm dhe formim vatrash stuhish, edhe pse sipas rrugës së lëvizjes parashikimi tregonte se duhet të kalojë në një kohë të shkurtër. Intensiteti rekord i stuhisë që përfshiu luginën e Shkupit është me një probabilitet prej 0,1 për qind ose një herë në një mijë vjet. Kështu DPHM e pati shpjeguar atëherë stuhinë që goditi luginën e Shkupit. 

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR