• e martë, 24 dhjetor 2024

Tenderi për Spitalin klinik të Shtipit është gati, në vjeshtë fillojnë aktivitetet ndërtimore, paralajmëron Mickoski

Tenderi për Spitalin klinik të Shtipit është gati, në vjeshtë fillojnë aktivitetet ndërtimore, paralajmëron Mickoski

Shtip, 24 qershor 2024 (MIA) - Tenderi për Spitalin klinik Shtip është gati dhe do të përfundojë për dy-tre muaj, pas së cilës në vjeshtë do të fillojnë aktivitetet e ndërtimit të vetë spitalit, njoftoi kryeministri Hristian Mickoski. 

Mickoski, i cili për vizitë në spitalin e Shtipit ishte me ministrin e Shëndetësisë Arben Taravari, theksoi se ndërtimi i spitalit së bashku me spitalin e Kërçovës është premtim i përbashkët i Qeverisë dhe se ata do të kenë përparësi. 

"Të dy spitalet që në fillim do të duhet të fillojnë me ndërtimin. Tenderi është gati, pritet mendimi i Ministrisë së Financave. Rrugës për në Shkup do të bisedojë me ministren e re të Financave, Dimitrievska-Koçovska dhe ky proces të fillojë. Menjëherë le ta shpallim tenderin dhe në dy-tre muajt e ardhshëm do të përfundojë dhe në vjeshtë do të fillojmë aktivitetet e ndërtimit të spitalit", deklaroi Mickoski duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas vizitës së Spitalit klinik në Shtip. 

Spitali klinik i Shtipit, sipas Mickoskit, qëndron si monument i një kohe të keqe dhe siç tha ai, ndoshta qeverisë më të pasuksesshme midis LSDM-së dhe BDI-së, duke theksuar se edhe pse ndërtimi është dashur të përfundojë për dy ose tre vite, për fat të keq që nga viti 2017 nuk ka lëvizur.

"Duhet të kemi një fillim të shpejtë për të treguar dhe vërtetuar se ajo që themi do të vihet në veprim", deklaroi Mickoski, duke theksuar se projekte të tilla duhet të ketë çdo ditë "në Tetovë, në Kërçovë, në Ohër dhe në Manastir dhe në mbarë Maqedoninë", sepse, siç tha ai, vetëm kështu do të “tregojmë se vota që dhanë më shumë se 600 mijë qytetarë për Koalicionin “Maqedonia jote” e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, Koalicioni "VLEN" dhe ZNAM jep shpresë”.

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari, tha se në programin e përbashkët qeveritar do të punohet në rajonalizimin e shëndetësisë, duke theksuar se një nga spitalet klinike të rëndësishme që duhet të jetë është spitali i Shtipit.

"Për fat të keq, që nga viti 2017, kur kam qenë 100 ditë ministër, nuk e kam vizituar, tani shoh që nuk ka ndryshuar asgjë dhe shpresoj që tashmë të ketë një iniciativë për ta publikuar sërish shpalljen dhe për të kërkuar një kompani të re. Vetëm duhet me Qeverinë të biem dakord dhe të marrim leje nga Ministria e Financave. Shpresoj që shumë shpejt procedura të mund të publikohet dhe të rifillojë puna në Spitalin klinik", deklaroi Taravari.

I pyetur nëse garancia bankare është aktivizuar dhe nëse do të ketë kallëzim penal ndaj ekzekutorit të mëparshëm, Taravari tha se ajo është aktivizuar vitin e kaluar.

"E di që është aktivizuar garancia bankare vitin e kaluar dhe ajo punë ka përfunduar. Do të më duhet të pyes për kallëzimet penale", deklaroi Taravari.

Sa i përket kostos së ndërtimit dhe nëse do të ketë nevojë për kredi të reja, Taravari tha se nuk e di saktësisht se sa do të kushtojë, por se me kohë do të njoftohet publiku. qa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR