• e diel, 22 dhjetor 2024

Teknikat e alpinizmit të Nadir Murselit përdoren edhe për "punë në lartësi"

Teknikat e alpinizmit të Nadir Murselit përdoren edhe për
Tetovë, 19 qershor 2021 (MIA) - Nadir Murseli nga Tetova është një nga të paktët njerëz në vend që, falë përvojës së tyre në alpinizëm, mund të kryejë të ashtuquajturën "punë në lartësi" siç janë lyerja e oxhaqeve të fabrikave me lartësi qindra metra, punë të tjera të lidhur me mirëmbjajtjen, ndërtimin ose riparimin e ndërtesave, urave, digave, rrokaqiejve, mullinjve të erës, pra kudo që është e vështirë të punohet për shkak të lartësisë. Nadir është 44 vjeç dhe ai filloi të ngjitej në male dhe të merrej me alpinizëm në ditët e shkollës së mesme. Specialiteti i tij në alpinizëm është ngjitja në akull. Ngjitja e tij më e lartë është maja e Himalajeve në Ajland Pik në 6,200 metra mbi nivelin e detit, si dhe MekKinley dhe Akonkagua. Ashtu si në alpinizëm, edhe në këtë punë, suksesi sipas motos së jetës së Nadirit është kur alpinisti kthehet shëndoshë e mirë në shtëpi. Kjo është arsyeja pse ai thekson disa nga pikat më të rëndësishme në ushtrimin e një pune të tillë, të tilla si respektimi i protokolleve të sigurisë, përqendrimi i lartë personal dhe pajisjet e përshtatshme. “Teknika alpine që ne e dimë është ajo që na ndihmon dhe na lejon të afrohemi dhe të kryejmë këtë aktivitet të veçantë në një vend apo objekt të lartë. Pothuajse të gjithë ata që punojnë janë alpinistë. Pajisjet janë paksa të ndryshme nga ato që përdoren për ngjitje në shkëmb, por thelbi është i njëjtë. Pajisjet e mbrojtjes janë të rëndësishme, duke filluar nga gjërat më themelore, një përkrenare e veçantë me një mbrojtëse të tejdukshme, litari, rripi”, shpjegon Nadiri. Është e nevojshme t'i jepet një rëndësi e madhe sigurisë, respektivisht minimizimit të rreziqeve gjatë ushtrimit të një pune të tillë. “Siguria është e rëndësishme sepse mund të biesh vetëm një herë ose të goditesh vetëm një herë. Çdo gjë që nuk është e lidhur bie nga lartësia. Nëse lini në ballkon ose çati ndonjë objekt nëse nuk është i lidhur me kohë bie, jo më njerëz. Nëse një person nuk është i lidhur ose nuk ka një përkrenare, siguria është zero dhe rreziku është maksimal. Një rënie deri në 2.5 metra mund të jetë fatale. Shpesh na pyesin a keni frikë nga lartësitë. Sigurisht që ekziston një dozë frike. Por përgjigjja është se unë i siguroj vetes pajisje dhe kështu besoj se do të kem sukses. Sigurisht, njohuritë e mia minimizojnë rrezikun dhe frikën, kështu që është një ndryshim midis meje dhe disave që besojnë se kjo punë mund të bëhet lehtë”, thotë 44-vjeçari nga Tetova. Përveç përgjegjësisë personale për pajisjet, Nadiri thekson nevojën për të qenë të kujdesshëm kur ka erë ose stuhi. Në këto raste puna ndërpritet menjëherë. “Duhet të jeni të gatshëm fizikisht dhe mendërisht, të jeni të arsyeshëm se kur dhe si të punoni. Përveç njohjes së teknikave për ngjitje dhe ruajtjes së sigurisë, ju gjithashtu duhet të njihni disa "aftësi artizanale", të dini si të prisni me sharrë elektrike me zinxhir, të saldoni, të shponi, të dini të përdorni vegla dhe të ngjashme. Njohuri për teknikën, fizikën, artin dhe madje edhe krijimtarinë do të thosha sepse ndonjëherë duhet të përshtateni me atë që është aty", tha Nadiri. Ndërtesa më e lartë në të cilën ai ka punuar ishin oxhaqet e Kombinatit Metalurgjiko-Elektrik “REK Bitola”. “Oxhaqet e REK Bitolës janë 250 metra të larta dhe duhej të lyheshin. Tani ka shkallë në oxhak, por duhen rreth 30-40 minuta për të ngjitur ato 250 metra lartësi. Transporti i materialeve për punë, hekuri, ngjyra dhe të ngjashme është gjithashtu i rëndësishëm. Punohet nga lart poshtë. Zgjat me ditë të tëra. Ato lyhen kuq e bardhë që të jenë të dukshme nga helikopterët. Ndrrohen edhe llambat që përdoren natën për ndriçim”, thotë bashkëbiseduesi. Ai ka një përvojë shumë të mire nga Zvicra ku jetonte më parë në lidhje me respektimin e rregullave. “Kam punuar për dy vjet në Zvicër për një kompani që punon në krasitjen e pemëve. Por atje ata më lejuan vetëm të isha asistent dhe të ndihmoja rreth sigurisë, pajisjeve dhe materialeve. Pemët dhe degët mund të priteshin vetëm nga njerëz të arsimuar mirë si Fakulteti i Pylltarisë. Sepse nëse nuk e njihni atë zonë, pylltarinë, nuk duhet t'i afroheni pemës. Unë nuk kam pasur një gjë të tillë, por sepse kisha njohuri për teknikat dhe përvojën në këtë punë në lartësi të lartë, unë u mora vetëm si asistent, por nuk më lejohej të krasitja pemët”, thotë Nadiri për përvojën atje, duke shtuar që në Zvicër i kushtohet një rëndësi e veçantë sigurisë në këtë punë dhe trajtohet në mënyrë të veçantë. Ka përvoja apo përjetime dhe ngjarje të ndryshme në të gjithë vendin, pork ka pasur edhe shembuj kur nuk është thirrur për të punuar, por është gjendur në rrethana në tilla, dhe duke e njohur teknikën ka ndihmuar. “Në ndërtesën ku jetoj kam zbritur duke përdorur teknikat e alpinizmit nga ballkoni në ballkon për të hyrë në apartament dhe për të hapur derën e kyçur për shkak të çelësave të lënë brenda. Kur isha një here në manastirin e Shë Mërisë u këput litari i kambanës. Kujdestari kishte frikë të ngjitej, kështu që unë ofrova ta ndihmoj dhe arrita të ngjitem në kullën e kambanës për të lidhur litarin në mënyrë që të mund të përdorej kambana”, thotë Nadir. Alpinisti tetovar thotë se "puna në lartësi" dhe alpinizmi plotësojnë njëra-tjetrën. “Të dyja fushat kërkojnë që të jeni në kontakt të vazhdueshëm me pajisjet, të ushtroni, të jeni të angazhuar, të gatshëm dhe fleksibël për t'iu përgjigjur sfidave. Është e rëndësishme të rinovoni këtë pajisje për të cilën ekzistojnë rregulla të veçanta”, thotë alpinisti. Në alpinizm Nadiri, është ngjitur pothuajse në të gjitha lokalitetet e vendit, të tilla si Solunska Glava, Matka, Ostra Karpa, Demir Kapia dhe të tjera. Nëpër vendet ballkanike është ngjitur në Meteora- në Greqi, Maljovica dhe Vratsa në Bullgari, Paklenica në Kroaci, si dhe në Malin e Zi, Bosnjë dhe Hercegovinë. Në vendet evropiane ka qenë në Alpet Juliane, Dolomitet dhe Alpet Evropiane. Aleksandar Samarxhiev

QËNDRONI TË LIDHUR