• e martë, 24 dhjetor 2024

TAV me pajisje në vlerë 2.4 milionë euro për skanimin e sistemit të përdorimit të bagazheve në aeroportin e Shkupit

TAV me pajisje në vlerë 2.4 milionë euro për skanimin e sistemit të përdorimit të bagazheve në aeroportin e Shkupit

Shkup, 6 dhjetor 2023 (MIA) - TAV Maqedoni, filial i TAV Aeroporteve sot njoftoi se ka përfunduar përmirësimin e sistemit të posedimit të bagazheve dhe instalimin e një pajisjeje të re për skanimin e bagazheve në Aeroportin e Shkupit që paraqet një tjetër investim kapital me vlerë 2.4 milionë euro.

Tash e tutje, thuhet në kumtesë, pasagjerët mund të mbërrijnë në aeroport si më parë, 2 orë para fluturimit.

Procesi i përmirësimit të sistemit të trajtimit të bagazheve në Aeroportin ndërkombëtar të Shkupit dhe instalimi i pajisjes së re të skanimit filloi më 9 tetor, ndërsa ka mbaruar më 28-të nëntor të këtij viti. I gjithë projekti u përfundua në më pak se dy muaj, gjatë së cilës aktivitetet përfshinin çmontimin e pajisjes me rreze "Standard 2", instalimin e një pajisjeje të re skanimi "Standard 3" dhe testimin e teknologjisë më të fundit përpara se të vihej në punë.

Drejtori i përgjithshëm i TAV Maqedoni, Nexhat Kurt, shprehu besimin se përmirësimet e tilla dhe ofrimi i shërbimit të pashembullt për udhëtarët dhe linjat ajrore tona do ta forcojnë edhe më shumë pozitën e Aeroportit të Shkupit në rajon.

Sistemi i trajtimit të bagazheve në Aeroportin e Shkupit më parë funksiononte me pajisje për kontrollin e bagazheve "Standard 2" ose teknologji konvencionale, ndërsa tani, me këtë investim të rëndësishëm, i cili kërkonte ridizajnim dhe rikonfigurim, sistemi i trajtimit të bagazheve është përmirësuar me teknologji më të fuqishme – Tomografia kompjuterike (TK) ose "Standard 3" që është standardi më i lartë i Konferencës Evropiane të Aviacionit Civil (European Civil Aviation Conference – ECAC). 

TAV Maqedoni, filial i TAV Aeroporteve ka mbyllur 10 muajt e parë të vitit 2023 me një rritje prej 30 për qind të trafikut të pasagjerëve, duke arritur gjithsej 2.6 milionë (2.647.816) pasagjerë në dy aeroportet e Maqedonisë në Shkup dhe Ohër, ndërsa numri i fluturimeve në të njëjtën periudhë është 19,935 me një rritje vjetore prej 20 për qind. qa/

Foto: TAV Maqedoni, filial i TAV Aeroporteve

 

QËNDRONI TË LIDHUR