• e hënë, 23 dhjetor 2024

TAV Maqedoni: Të gjitha sistemet e aeroportit janë në funksion dhe tani për tani nuk ka anulim të fluturimeve

TAV Maqedoni: Të gjitha sistemet e aeroportit janë në funksion dhe tani për tani nuk ka anulim të fluturimeve

Shkup, 19 korrik 2024 (MIA)  - Të gjitha sistemet e aeroportit janë në funksion dhe për momentin nuk ka anulim të fluturimeve, informojnë nga TAV Maqedoni, filial i TAV Aeropotit, operator i aeroportit të dy aeroporteve në Maqedoni.

"Fakt është se disa kompani ajrore po përballen me vështirësi me sistemet e tyre, por ne kemi marrë masa për të mundësuar operim të pandërprerë në aeroporte", thuhet në kumtesën e TAV-it.

Apelojnë te të gjithë pasagjerët që të kontrollojnë dhe konfirmojnë informacionet e fluturimit me kompaninë ajrore ose agjencinë e udhëtimit përmes së cilës kanë rezervuar biletën e fluturimit.

"Të gjithë sektorët e aeroportit janë në gjendje gatishmërie për shkak të ndërprerjes globale të TI-së dhe po merren të gjitha masat e nevojshme për t'i shërbyer pasagjerëve tanë në mënyrën më të mirë të mundshme", shtojnë nga TAV. 

Për shkak të një defekti të madh të TI-së, sot linjat ajrore botërore, aeroportet në të paktën katër kontinente, sistemet shëndetësore, bankat, telekomunikacioni, media dhe kompani të tjera, institucione dhe organizata po përballen me vështirësi në punë.

Një numër në rritje i qeverive dhe institucioneve pretendojnë se pas defektit të madh teknologjik që goditi kompanitë dhe sistemet në mbarë botën, nuk ka asnjë sulm hakerik, ndërsa fajtorin e gjejnë në softuerin e kompanisë së sigurisë kibernetike CrowdStrike. rq/

Foto: TAV Maqedoni

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR