Taravari: Valbon Limani nuk është kandidat, ai është kryetari i ri i Gostivarit
- Arben Taravari, kreu i krahut të Aleancës për Shqiptarët, mbrëmë në tubimin me qytetarët "Takohemi në Gostivar", tha se Valbon Limani, kryetari aktual në detyrë i komunës së Gostivarit do të jetë kandidat për një mandat tjetër.
- Post By Fami Bajrami
- 09:15, 27 qershor, 2025
Gostivar, 27 qershor 2025 (MIA) - Arben Taravari, kreu i krahut të Aleancës për Shqiptarët, mbrëmë në tubimin me qytetarët "Takohemi në Gostivar", tha se Valbon Limani, kryetari aktual në detyrë i komunës së Gostivarit do të jetë kandidat për një mandat tjetër.
Në fjalimin e tij në qendrën kulturore, Taravari zgjidhi dilemat rreth kandidaturës së Valbon Limanit, duke dërguar porosi të qartë deri te ata që siç tha "përpiqen ta pengojnë atë".
"Po ju them që këtu, Valbon Limani nuk është kandidat, por ai do të jetë kryetari i ri i Gostivarit", ka thënë Taravari.
Në fjalën e tij, lideri i njërit krah të ASH-së që u nda nga koalicioni VLEN, shprehu indinjatë ndaj veprimeve të anëtarëve të partisë Azir Aliu dhe Arben Fetai të cilët mbetën në koalicionin qeveritar dhe u bëri thirrje të kandidojnë në zgjedhje si kandidatë.
"Njëri le të kandidojë në Gostivar, tjetri në Likovë. Nëse njëri prej tyre merr mbi një mijë vota, unë do të tërhiqem nga politika”, ka thënë Taravari.

Ai foli për situatën aktuale politike dhe marrëdhëniet brenda koalicionit qeveritar, duke i vlerësuar ato si jo të favorshme për shqiptarët në Maqedoni, duke përmendur se Aleanca së shpejti do të bëhet faktor i rëndësishëm politik dhe shqiptarët, siç theksoi, "nuk do të jenë më shërbëtor të maqedonasve".
Kryetari i Komunës së Gostivarit dhe anëtari i Kryesisë qendrore të ASH-së, Valbon Limani, paralajmëroi fitore në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor.
“Me ju do të festojmë në Gostivar dhe ASH-ja do të fitojë në çdo cep. Jemi duke realizuar projekte të mëdha. Në terren çdo ditë shoh entuziazmin e qytetarëve për ndryshim”, u shpreh Limani.
Deputeti i ASH-së, Halil Snopçe u shpreh se ish partnerët nga VLEN kanë treguar mosmirënjohje edhe pse falë Arben Taravarit janë në pushtet.
“Edhe disa ish shokë që janë bërë zyrtarë falë Taravarit sot na sulmojnë. Nuk kanë vizion të përbashkët politik. Paramendoni të flasësh me ta për çështje kombëtare. Janë në huti të plotë. Aktiviteti i tyre politik është si shumëzimi me zero. Ja për shembull: 20-30 punësime te maqedonasit, zero te shqiptarët”, deklaroi Snopçe.
Nga ana tjetër, Sekretari i përgjithshëm i partisë, Blerant Ramadani, tha se largimi nga qeveria ishte një akt për të rikthyer dinjitetin e votuesit shqiptar.
“Dalja nga Qeveria nuk ishte lëvizje partiake, por iniciativë kombëtare. Kur e respektojmë votuesin tonë, respektojmë çdo komunitet. Po ashtu, çështja evropiane nuk duhet të harrohet – duhet ta rikthejmë si prioritet shtetëror”, theksoi Ramadani.
Në tubim fjalim kanë mbajtur edhe kryetarja e Asamblesë së gruas, Elfete Ismaili si dhe kryetari i Shtabit zgjedhor Isak Lazami dhe sekretari organizativ Gadaf Uzairi.
Foto: MIA