• e hënë, 23 dhjetor 2024

Taravari: Më 9 maj LSDM-ja dhe BDI-ja dalin në pension, në opozitë

Taravari: Më 9 maj LSDM-ja dhe BDI-ja dalin në pension, në opozitë

Dibër, 5 prill 2024 (MIA) - Kandidati për president nga koalicioni "VLEN", Arben Taravari, mbrëmë nga Dibra e filloi fushatën zgjedhore, nga ku tha se më 9 maj - Ditën e Evropës, do ta kemi, siç. tha, "Qeveria 3" në të cilën nuk do të jenë dy partitë që janë tani, LSDM dhe BDI, sepse për një muaj do të dalin në pension, është koha që të shkojnë në opozitë.

"Zyrtarisht po e nis fushatën këtu, nga Dibra, nga ku dua të them se gjatë fushatës nuk do ta përmend BDI-në, por do ta prezantoj platformën time. Këtu në Dibër vendosa të flas për Kushtetutën, e cila është një nga katër shtyllat e platformës sime. Kushtetuta e Maqedonisë e miratuar në vitin 1991 nuk u votua nga shqiptarët dhe ishte diçka që nuk u përkrah asnjëherë nga shqiptarët. Lideri Arben Xhaferi tha se Kushtetuta është gjenerator i krizave politike në Maqedoni dhe kështu ishte. Kjo ishte e vërtetë deri në konfliktin e vitit 2001, kur Kushtetuta u ndryshua dhe u plotësua, por Marrëveshja e Ohrit nuk u zbatua kurrë plotësisht. Edhe sot nuk është përmbushur shtylla kryesore e Marrëveshjes së Ohrit, që është decentralizimi fiskal. Obligimi ynë është ndryshimi i Kushtetutës sepse ky është kusht që Maqedonia të shkojë në rrugën evropiane", tha Taravari.

Paralajmëroi se kur të vendoset përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë, "VLEN” në qeverinë e re do të vendosë kusht që të fshihet 20 për qind për përdorimin e gjuhës shqipe. Ai foli edhe për zgjedhjen e kreut të shtetit në Parlament, duke theksuar se Maqedonia është demokraci parlamentare dhe se kompetencat e presidentit janë të njëjta me presidentin e Kosovës, Shqipërisë, Greqisë, Gjermanisë, por në këto vende presidenti zgjidhet nga parlamenti.

"Kushti ynë është që presidenti të zgjidhet me shumicë 2/3 dhe sigurisht me Badinter. Nëse nuk zgjidhet në dy raunde, raundi i tretë duhet të shkojë me shumicë votash, që do të thotë 61 deputetë, por sërish me Badinter. Kjo është mënyra më e mirë për të ulur kostot e shtetit dhe për të pasur një lloj kontrolli në përzgjedhjen e tre funksioneve kryesore shtetërore, presidentit të shtetit, parlamentit dhe kryeministrit. Qeveri pa shqiptare nuk mund të ketë", tha Taravari.

Ai nga Dibra i është përgjigjur kundërshtarit dhe ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, i cili sipas tij ka thënë se kemi filluar negociatat me BE-në, duke e pyetur se pse nuk po i vazhdojmë? Në fakt, shtoi ai, ne nuk kemi filluar negociatat.

Taravari theksoi se fushata e tij karakterizohet nga tre fjalë kryesore: bashkim, ndryshim dhe vlen. - Unë pres që ky bashkim, me të cilin ne kemi përmbushur dëshirën e shqiptarëve, të cilin e kanë pritur që nga viti 2002, të sjellë ndryshim, një ndryshim që ata e presin me shumë entuziazëm kudo që shkojmë. Ndryshimi po vjen, jam 100 për qind i bindur për këtë, dilema është se sa do të jetë ndryshimi", theksoi Taravari.

 

Dibranëve ndër të tjera iu drejtuan Izet Mexhiti, lideri i Lëvizjes Demokratike, Afrim Gashi i Alternativës, koordinatori i Shtabit Zgjedhor për Dibër, Bekim Pocesta dhe bartësi i listës së kandidatëve për deputetë për Njësinë 5, Salim Sulejmani, të cilët i thirrën dibranit së bashku t'i sjellin ndryshimet.

Të pranishmit i përshëndeti edhe Bekim Qoku nga “Vetëvendosje”, i cili tha se në bashkimin e partive në koalicionin “VLEN”, që do të sjellë ndryshime, rol të madh ka Albin Kurti, i cili sipas tij, është një njeri në krahun e duhur, punëtor dhe i ndershëm, ku është edhe ky koalicion, ndërsa në “anën tjetër është Vuçiq, ku është Ali Ahmeti”.

Koalicioni “VLEN” i hapi solemnisht ambientet e shtabit zgjedhor. ls/

Foto: MIA

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR