• e hënë, 23 dhjetor 2024

Taravari: Ky është kongres legjitim i ASH-së

Taravari: Ky është kongres legjitim i ASH-së

Shkup, 16 shkurt 2024 (MIA) - Lideri i Aleancës për Shqiptarët (AA), Arben Taravari sonte para fillimit të kongresit të jashtëzakonshëm të partisë deklaroi se pret që të konfirmohen vendimet për koalicionim me opozitën shqiptare, si dhe kandidimin e tij për president në zgjedhjet e ardhshme.

"Kongresi është thirrur për dy pika kryesore. E para për të marrë mbështetjen e kongresit për t'u kandiduar për president të vendit dhe të fillojmë mbledhjen e nënshkrimeve. E dyta është që të konfirmohet koalicionimi i cili duhet të ndodhë nesër dhe pastaj do të kemi një pikë tjetër për ndryshime statutore të dispozitave që janë keqpërdorur në periudhën e kaluar", ka thënë Taravari.

I pyetur se çfarë mendon për kongresin e ish kryetarit të partisë Sela dhe kryetar i Kuvendit të partisë të caktuar për të dielën, Taravari tha se “ky është kongres legjitim”. Sipas tij për thirrjen e kuvendit nevojiten dy të tretat e delegatëve, ndërsa Sela nuk ka pasur as gjysmën e tyre. Lidhur me atë se kë dëshiron kundërshtar nga radhët e BDI-së, Taravari thotë se do të dëshironte që ai të jetë kryetari i BDI-së Ali Ahmeti.

“Unë do të preferoja Ali Ahmetin, por do të respektoj edhe kandidatët tjerë që kanë mbështetjen e partive të tyre”, tha Taravari.

Kongresi mbahet dy ditë para kongresit të thirrur nga Sela i cili do të kërkojë përgjegjësi dhe shkarkimin e Taravarit për vendimin e tij për të hyrë në koalicion me Lidhjen Evropiane për Ndryshim. Nga ana tjetër, Taravari dje ka shpallur kandidaturën e tij për president me mbështetjen e LEN-it.

foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR