• e hënë, 23 dhjetor 2024

Taravari: Ka mungesë të kuadrit në shëndetësi, shpresoj në një numër të madh të punësimeve deri në fund të vitit

Taravari: Ka mungesë të kuadrit në shëndetësi, shpresoj në një numër të madh të punësimeve deri në fund të vitit

Shkup, 25 qershor 2024 (MIA) - Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari sot në deklaratën për media tha se është i vetëdijshëm për mungesën e kuadrove në institucionet publike shëndetësore. Taravari shpreson se deri në fund të vitit do të ketë një numër të madh të punësimeve, veçanërisht në shëndetësi.

Ministri ka vizituar Shtëpinë e Shëndetit – Shkup, ku ka biseduar për gjendjen me pajisjen, automjetet dhe autoambulancën, si dhe përmirësimin e kushteve për personelin mjekësor.

Në pyetjen e gazetarëve nëse ka mungesë të kuadrit në shëndetësi, ministri u përgjigj se duhet gjetur një zgjidhje për këtë.

"Mendoj se propozimi i ish ministrit Mexhiti ka qenë i mirë, që 1.200 specializantët që punojnë në institucione shëndetësore dhe nuk kanë vendime t'u jepen para së gjithash dhe menjëherë të planifikohen edhe në buxhet për vitin e ardhshëm edhe punësime të reja, normalisht do të fillonin me kontratë në vepër këtë vit. Këta 1.200 do të merrnin vendime. Pra, ne do ta shqyrtojmë këtë, do të diskutojmë edhe me ministren e Financave nëse mund të zbatohet menjëherë", ka thënë Taravari.

Ai tha gjithashtu se kërkohet zgjidhje për të mbajtur dhe motivuar specializantët me punësimin e tyre.

"Gjithashtu, ideja që specializantët që janë me specializime private, eventualisht të gjithë të kthehen për të qëndruar në shtet, të motivohen nga kjo. Të gjendet zgjidhje si - nëse i punësojmë dhe i mbajmë dhe jo thjesht punësohen dhe pas një apo dy të ikin. Shpresoj se deri në fund të vitit do të kemi një numër të madh të vendeve të punës, veçanërisht në sektorin e shëndetësisë", tha Taravari.

Taravari poashtu tha se e di që Ndihma e shpejtë në Shkup përballet me mungesë të stafit, andaj shpreson se shumë shpejt do të del me masa konkrete.

Ai gjithashtu informoi se në një të ardhme të afërt do të propozojë ligj të ri për mbrojtje shëndetësore. Me ligjin, siç tha ai, nuk do të ketë drejtorë ekonomikë në institucionet ku ka, por vetëm një “drejtor profesionist”.

Ministri dje ka pasur takim me shumicën e drejtorëve të klinikave kirurgjikale dhe konsideron se aty duhet të instalohet një sistem krejtësisht i ri.

"Pres tashmë një raport,  ka ekspertizë nga disa institucione që kanë bërë ekspertizë se pse aty ka erë oksigjeni dhe gazra tjerë që përdoren në sallat e operacionit. Mendoj se në seancën e parë të Qeverisë do të duhet të bisedojmë rreth kësaj, eventualisht për të instaluar një sistem krejtësisht të ri, të mos rrezikojmë jetën e pacientëve", u përgjigj ai në pyetjen e gazetarëve.

Foto dhe video: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR